Anxhela Peristeri vjen në klasifikimin e “The Top List” me një tjetër projekt të saj. Këtë herë, ajo ka bashkuar forcat me Erik Troqe për të sjellë “Dy ditë”.
Erik është një emër i ri që vjen në Top Awards, por një imazh që nuk besojmë se ka njeri që nuk e njeh. Teksa në projektin e fundit të Anxhelës, “Mjegull në Tiranë”, Eriku ishte model, këtë herë atë e shohim të përfshirë në muzikë.
Duke hedhur këtë hap në Top Awards, le të njihemi pak më shumë me këtë artist të ri e të talentuar…
I lindur më 20 gusht 2002 në Romë, Erik Troqe është rritur mes Italisë dhe Shqipërisë, duke formuar herët një identitet të dyfishtë kulturor. Që në moshën 6-vjeçare ai nisi rrugëtimin në futboll, një pasion që e çoi të luante në tre shtete të ndryshme, duke qenë pjesë e skuadrave si AC Milan, Benevento, si dhe kombëtaret e moshave të Shqipërisë.
Pas dy dëmtimeve të rënda, Erik u detyrua të ndalonte ndjekjen e ëndrrës së futbollit, por jo ambicien për t’u shprehur dhe për të krijuar. Me nënshtetësi të dyfishtë italiane dhe shqiptare, ai gjeti një drejtim të ri në art.
I lidhur ngushtë me muzikën që në moshën 9-vjeçare, Erik është autodidakt në piano, duke zhvilluar ndjeshmëri artistike dhe disiplinë krijuese. Aktualisht, ai po ndjek me përkushtim rrugën e artit dhe skenës, duke u angazhuar në muzikë, piano, këndim, modeling dhe aktrim, si forma të ndryshme të shprehjes së identitetit dhe pasionit të tij.