“Memories” titullohet projekti i fundit i Janex, me të cilin artistja duket se goditi në shenjë pasi u prit shumë mirë nga publiku shqiptar. E publikuar në muajin qeshor, “Memories”, ka mundur të jetë pjesë e klasifikimit të “The Top List” për 7 javë rresht, duke u pozicionuar në vende tepër të favorshme.

Ndërkohë që ende po shijon suksesin e asaj kënge, ish-konkurrentja e “The Voice of Albania”, është gati të publikojë një tjetër hit muzikor. Përmes një postimi të bërë në rrjetet sociale, këngëtarja ka lajmëruar të gjithë fansat se në javën e parë të muajit shtator, kënga e saj e re do të dalë në treg.

“Jam e lumtur t’ju bëj me dije se kënga ime e re e titulluar “Wanna Be” ka përfunduar dhe pritet të publikohet për herë të parë në javën e parë të muajit shtator, ekskluzivisht nga “360M Records” në mbarë botën”, shkruan artistja.

“Po pres me padurim ta ndaj me ju këngën time të re dhe të di mendimet tuaja rreth saj”. Këngëtarja ka shtuar gjithashtu se ky projekt muzikor vjen në bashkëpunim me shtëpinë diskografike “Tull Production” dhe së është shkruar nga ajo dhe Donald Braho. Sa i përket videos, ajo ka shpjeguar se së shpejti do të zbulojë detaje rreth saj.