I ftuar në studion e “Live From Tirana” ka qenë artisti i njohur Big Basta. Ai ka publikuar së fundmi bashkëpunimin e tij më të ri me Lyrical Son dhe Mc Kresha, “Ti m’ke braktis”, që këtë javë është një nga hyrjet më të reja në “The Top List”. Një këngë kjo e bazuar nga ajo e Rudolf Stambollës, “Kur gjethet bien në vjeshtë”, që publiku e priti mjaft mirë. Por si lindi e gjithë kjo ide?

Si erdhi ideja e të rikrijuarit të këngës së Rudolf Stambollës?

Në familjen time kam një dell nga Shkodra. Kunati shpesh më thoshte për këngën e Rudolfit, që është tango e parë shqiptare. Një ditë duke përgatitur albumin, lindi e nevojshme të bënim një kengë të re duke e ndërthurur me një të vjetër. Dhe thashë e kam atë që duhet, Rudolf Stambolla. Marrim pjesën e parë dhe ajo ishte e gjitha. U krijua, u bë super hiti. Dola me familjarët e Rufoldit, vajzën e tij. Ajo i njeh të gjithë reperët, ka shumë vesh dhe tha ta nxjerrim sepse nxjerr në pah vlerat e këngës. E kemi risjellë në vëmendje brezit të ri.

Si lindi bashkëpunimi me Lyrical Son dhe Mc Kresha?

Nga miqësia e vjetër që kemi. Kemi qenë në biseda vazhdimisht për të realizuar këngë. Në fillim u mendua të kisha një këngë me Lyrical Son dhe një me Mc Kresha. Por ndodhi kimia, kush më mirë mund ta bënte refrenin se Lyrical Son dhe Kresha pastaj që vjen me tre role të ndryshme. Që me dëgjimin e parë Kresha e pëlqeu dhe m’u bë qejfi që dhe Lyrical gjeti veten tek pjesa e tij dhe ndodhi ajo që ndodhi. Nuk lindi nga hiçi, kishim kohë që e flisnim.

Si reaguan familjarët e Rudolfit?

Vajza e tij, Dori, e pëlqeu shumë. Disa njerëz nga familja ime janë shumë kritikë, në fillim kishin dyshimet e veta. Kur i thashë Lyrical Son që a je i sigurt se është shumë masive, ai tha që është hera e parë që bëj një këngë të tillë dhe jam i sigurtë që do pëlqehet. Dori, vajza e Rudolfit, tha ‘më pëlqen shumë, mos ndërroni asgjë’. E kishim aprovimin që në start.

Po ashtu dhe klipi ka ardhur mjaft i veçantë…

Falënderoj Emilio Leka që është regjisori, me ndihmën e kineastit Ron Ismaili nga Prishtina. Ishte një staf i madh, si xhirim filmi me metrazh të shkurtër. Çdo gjë ka qenë perfekte, ka shkuar vaj. Përveç se jemi lodhur se skenën e kemi xhiruar në 5 të mëngjesit. Emilion donte që të isha i lodhur tek skena ime, i shkatërruar se ka ndodhur një krim. Donte që të ishte reale.