Të ftuar mëngjesin e sotëm në studion e “Wake Up”, kanë qenë Gjergj Kaçinari, Bilma Piranaj, Denis Hima dhe Klajdi Ibro, që së bashku bëjnë grupin muzikor Rool. Ata kanë folur më shumë mbi albumin e tyre të ri që do të prezantohet më 23 maj, si u bënë së bashku dhe planet e tyre të ardhshme…
Si ka nisur Rool?
Ka nisur si një ide para një dekade. Ka nisur me këto këngë që janë publikuar në albumin e parë. Nuk mori trajtën që duhej dhe mbeti si planet që janë një dëshirë e madhe. Pengonte bërja së bashku e gjithë komponentëve, se nuk është e thjeshtë ta bësh këtë të gjithën. U mblodhëm rrugës, secili u përfshi dhe bëmë koncertin e parë një vit më parë. Më pas ka shkuar shumë mirë, duke marrë parasysh që jemi brand i ri. Feedback-u ka qenë shumë i mirë, kemi pasur koncerte shumë të mira dhe kemi gjëra të tjera para.
Si ju ka pritur publiku?
Është e bukur të dalësh të këndosh këngët e tua dhe njerëzit të këndojnë bashkë me ty. Ky është suksesi. Pastaj nëse flasim me shifra është tjetër gjë.
Pse vendosët që albumi juaj të vinte në formën e vinyl?
Është një nga format më të sinqerta, të pastra dhe natyrale për të dëgjuar muzikë. Jemi të lumtur që kemi qenë të parët që kemi bërë një album të tillë.
Synoni që të bëni një turne tuajin në vende të ndryshme?
Po, pa diskutim. Edhe pse është shumë e vështirë, nga pozicioni gjeografik që vendi ynë ka. Pjesa tjetër është që këtu nuk ka një skenë të rock-ut të mirëfilltë, sepse nuk bëhet vetëm, duhet një komunitet. Mungon rivaliteti, sepse nxisin njëra-tjetrën. Por dëshirat dhe synimet janë për këtë.
Pse keni zgjedhur që këngët tuaja të vijnë në anglisht?
Zgjedhja e parë është sepse gjuha është një instrument në këngë dhe anglishtja përshtatet pak më shumë me rock se gjuhët e tjera.
Çfarë mund të na thoni për albumin e ri “Sweet cruelty”?
“Sweet cruelty” është një single që ka qenë dhe në zanafillën e Top Awards para 8 vitesh. Ka qenë single i parë që kam bërë për Rool. Ky tani është një lloj rock që i ka kaluar pak koha, sepse është më shumë në rock-un alternativ, vjen më fresh dhe përmban 8 këngë e gjysmë. Kemi pritshmëritë tona se si do t’i japim trajtë.