Prej disa kohësh mungese, Gigliola Haveriku është rikthyer në ”The Top List” me një projekt të ri. Këtë herë ajo ka ardhur me “Dy fjalë”, projekti i radhës, ku këngëtarja shprehet rreth dashurisë dhe lëndimeve që kjo ndjenjë sjell.

Gigliola është këngëtarja e cila e nisi karrierën e saj muzikore si konkurrente në “The Voice of Albania” në vitin 2016 dhe që nga ajo kohë iu dedikua seriozisht pasionit të saj për këngën. Disa vite pas përfundimit të garës së talenteve të reja, ajo iu bashkua pjesëmarrësve të tjerë në Festivalin e 59-të të RTSH-së dhe vitin e kaluar artistja e gjeti veten në qendër të vëmendjes së showbiz-it me nisjen e rrugëtimit në “Big Brother VIP Kosova”.

Që pas daljes së saj nga ky program televiziv, Gigliola ka ndarë me fansat gjatë muajit të kaluar lajmin se do të vijë me një projekt të ri muzikor. Më në fund, këngëtarja e publikoi pak ditë më parë dhe këtë javë i është bashkuar prurjeve të reja në listë.

Tek ”Dy fjalë”, përveç zërit të bukur dhe videoklipit të kuruar deri në detaje, teksti i këngës mjaft i veçantë është krijuar nga vetë Gigliola së bashku me Elios Shulin. Artistja shfaqet shumë zemërthyer dhe melankolike tek ky projekt, por nuk dihet nëse është një dedikim apo jo…