Një nga zërat e rinj dhe më të talentuar të skenës muzikore shqiptare, është padyshim Frank Ibrahimi. Tashmë ai është edhe pjesë e “The Top List” në Top Awards me këngën “Vegim”. Frank ka qenë mëngjesin e sotëm i ftuar në studion e “Wake Up”, për të folur më shumë mbi këtë këngë, rrugëtimin e tij si artist, si dhe hapat e ardhshëm…

Si ndihesh që kënga jote është pjesë e “The Top List” dhe është në rritje nga java në javë?

Pa dashur të tregohem i përsëritur, ndihem shumë mirë dhe bukur, fakti që kënga po rritet e rritet.

Si lindi “Vegim”?

E kemi filluar ta shkruajmë një pasdite gushti bashkë me kitaristin, James Ruka. Pas akordeve të para erdhi e gjithë pjesa tjetër e këngës. Është mbaruar brenda natës.

Çfarë të frymëzoi?

Të frymëzojnë shumë gjëra. Unë si kantautor i ri nuk mund të frymëzohem përtej atyre që kam kaluar vetë. Pastaj fryma e natës bën të veten…

Si të lindi dëshira për t’u marrë pikërisht me rock si rrymë?

Mund të lindi natyrshëm pyetja si erdhe deri këtu, në një kohë që nuk dominon rock-u. Me muzikë jam familjarizuar që i vogël teksa dëgjoja disqet që babai sillte nga Franca. Janë mbi 200 disqe, 200 artistë të asaj kohe, nga The Doors, Rolling Stones, ACDC, Frank Sinatra, Elvis Presley, e shumë të tjerë. Pasioni erdhi fare i vogël, pa mbushur 4 vjeç. Kam kënduar “Ti nuk ke më ndjenja” nga Ardit Gjebrea.

Ti le Stambollin, ku po vazhdoje studimet, për të ardhur në Tiranë e t’i përkushtoheshe muzikës. Si e vlerëson ti si artist i ri rrugëtimin tënd?

Është shumë gjëra përveç se e lehtë, sidomos në një etapë që duhet të ruash autenticitetin. Ata që vërtet dashurojnë dhe kanë një pasion të fortë e kuptojnë si është të mos heqësh dorë nga ajo që do. Kam qenë dhumë i vogël kur kam nisur të këndoj dhe feedback-u që mora më bëri të besoj se kjo është rruga që unë duhet të ndiqja. Nuk e gjeta veten në Stamboll. Jeta është çështje zgjedhjesh dhe sakrificash. Duhet të sakrifikosh një gjë që të fitosh diçka tjetër.

Ke një plan se çfarë do të bësh së shpejti?

Albume, këngë, koncerte, stadium… Këto janë dëshirat jo vetëm për mua por për çdo artist. Do realizoj këngën më të re, por nuk po them datën.