Ajo është një nga artistet shqiptare që surprizon gjithmonë publikun me prurjet e saj muzikore ashtu sikurse ka bërë edhe së fundmi.
Pas publikimit të saj “Fire”, një këngë e cila ka qënë pjesë e klasifiimit të “The Top List”, Krelani ka ardhur me një tjetër projekt muzikor por kësaj radhe me një bashkëpunim.
Flaka ka bashkuar fuqitë me reperin, Pancho City për këngën e titulluar “DEF Star”, e cila është bërë pjesë e listës zyrtare të “Top Awards”, që në javën e parë të publikimit.
E kontaktuar nga “Top Awards”, Flaka ka zbuluar më shumë sa i përket këtij projekti muzikor, i cili është përballur me vlerësime të shumta por njëkohësisht edhe me kritika.
TA: Bashkëpunimet janë të pakta në karrierën tënde muzikore, sa të tillë numëroni? Ti vlerëson më shumë bashkëpunimet apo këngët “solo”?
Flaka Krelani: Kam bashkëpunime të cilat kanë qënë pjesë e festivalit, mirëpo dy janë nga ato të cilat veçohen si projekte jashtë konceptit të festivalit, të realizuara me videoklipe. E para ka qënë me Mc Kresha dhe tani me Pancho City. Vlerësoj bashkëpunimet edhe prurjet “solo”, nuk është se i veçoj.
TA: Si lindi ideja e një bashkëpunimi me Pancho City?
Flaka Krelani: Në momentin kur u realizua “beat-in” nga Xhimi On dË Beat, duke qënë se ishte “Reggae” me një “groove” më të thellë, Pancho ishte ai i cili i përshtatej këngës, duke qënë se Pancho kategorizohet si një reper me karakter të veçantë.
TA: Kush është Pancho City?
Flaka Krelani: Athe Toplica a.k.a Pancho City, është një reper, Hip Hop artist që karriera e tij fillon që në vitet 90′. Eshtë shumë i veçantë në stilin e tij, zotëron albume e videoklipe me një numër të madh. Eshte Urban dhe shumë i dashur për shumë gjenerata e sidomos ata old school. Eshtë një ndër të preferuarit e mi sai përket industrisë sonë.
TA: A mendoni se keni dalë paksa nga zhanri juaj muzikor me këtë këngë? Nese po, pse kjo zgjedhje?
Flaka Krelani: Nuk është se kam kontratë të lidhur me Industrinë e Muzikës “ROCK” dhe as nuk jam përbetuar ndonjëherë para gjykatës që nuk do ta lë ndonjëherë (qesh)… Muzika nuk ka limit, kam dëshirë ta mbush shpirtin me lloje të ndryshme të muzikës, duke i dëgjuar dhe realizuar ato. Jam këngëtare që nuk i caktoj vetes asgjë, ndjenja e muzikës më udhëheq, varet në çfarë ndjesie jam e në atë mënyrë dhe krijoj.
TA: “DEF Star” çfarë do të thotë? Për çfare flet kënga?
Flaka Krelani: Def është Dajre që i thoni ju. Eshtë instrument që më pëlqen shumë dhe në “Reggae” përshtatet shumë, e sidomos në këngën “Def Star”. Kam dashur ta modernizoj tradicionalen, duke ndërthurur kështu një videoklip që tregon shumë elementë të realitetit tonë sot.
TA: Kush eshte kujdesur per muziken, tekstin dhe klipin?
Flaka Krelani: Muzika – Beati është realizuar nga Xhimi On dË Beat, është e inçizuar dhe masterizuar në studion e Pancho City të quajtur “Big Mouth Production”, ndërsa videoklipi është realizuar nga Blerdi Malushi “MaXimus Production”.
TA: Si mendoni se është pritur kjo këngë nga publiku shqiptar?
Flaka Krelani: Ka nga ata që e vlerësojnë shumë e ka dhe nga ata që ju duket e kotë, ka nga ata që nuk e kuptojnë, ka nga ata që ju duket e çuditshme pse pikërisht unë e solla. Por publiku këtë e ka, kemi shije relative. Edhe mua jo të gjitha gjërat më pëlqejnë dhe e kam shumë të qartë idenë që nuk mund të jem e pëlqyera e të gjithve sepse e di qe unë kam botë shumë ndryshe dhe jo e kapshme për të gjithë. Por jam e lumtur që në këtë rreth bej gjëra që dua pa ndikim. Në fund të fundit, i falenderoj të gjithë publikun që edhe nese nuk kam sjell gjëra të cilat ata mund ta gjejnë veten në të, ata kanë qënë gjithmonë përkrahësit e mi maksimal në dalje të tjera të mija.
TA: Që në javën e parë, jeni pjesë e “The Top List”, që tani përbehet nga 100 këngë, si ndiheni për këtë?
Flaka Krelani: Jam shumë e lumtur. Faleminderit për këtë vlerësim.
TA: Për këtë javë renditeni në vendin e 50-të, cili mendoni se do të jetë pozicionimi juaj javën e ardhshme?
Flaka Krelani: E dyta si zakonisht (qesh) por me merit e para (qesh)…