Të ftuara në “Live from Tirana” ishin 3 motrat e grupit Threex, Erta Maria, Laura dhe Dea, për të folur rreth rrugëtimit të tyre muzikor. Ato kanë publikuar së fundmi këngën e tyre më të re, “Eyes on me”, që ndodhet momentalisht në vendin e 35-të në “The Top List”.

Si lindi “Eyes on me”?

“Eyes on me” ka qenë një nga projektet debutuese për ne, thjesht u përpoqëm të gjenim momentin e duhur dhe ai erdhi. Ka ardhur shumë natyrshëm dhe u kënaqëm shumë duke e bërë.

Cila shkruan tekstin?

Përpiqemi që t’i bëjmë së bashku. Bëjmë përshtatjet tona, ka raste ku fjalë të caktuara nuk na përshtaten mirë me melodinë dhe vendosim emrin tonë krahas shkruesit. 

Çfarë mund të thoni për fillimet tuaja?

Vendosëm ta nisnim që të vogla, por ajo që na ndihmoi dhe na dha shtysën kryesore ishte Eneda Tarifa. Na tha se mund të vazhdonim sepse Shqipëria nuk kishte një grup të tillë dhe do të ishim të suksesshme.

Ku e shihni veten në 10 vitet e ardhshme?

E mendojmë si diçka afatgjatë, muzikën e kemi prioritet sepse është pasioni ynë. Jemi të pandashme dhe do të jemi aktive.

Keni plane për album?

Sigurisht, por nuk kemi diçka konkrete për momentin. Kemi vendosur të merremi me ‘single-s’ dhe kemi diçka të re që do të publikohet së shpejti, por nuk kemi një datë të caktuar. Do të jetë diçka më ndryshe, pak më ‘soulful’ dhe RnB në rrymë.

Cili ka qenë grupi që ju ka frymëzuar më shumë?

Little Mix dhe specifikisht kënga e tyre “Wings”. Ishin një grup prej 4 vajzash dhe mënyra se si harmonizoheshin me njëra-tjetrën dhe bashkëpunimi i tyre ishte shumë më ndryshe dhe unik sesa artistët solo.