E ftuar në emisionin “Pardon My French” në Top Albania Radio ka qenë artistja e mirënjohur Rozana Radi së bashku me mbesën e saj Nicole. Së bashku të dyja artistet kanë rrëfyer detaje në lidhje me projektet, muzikën dhe jo vetëm kaq…
Artistja ka zbuluar surprizën që fshihet pas EP-së së saj më të re, e cila mban titullin “A I S H A”. Projekti përbëhet nga tre këngë, që artistja i përshkruan si tre rrahje zemre, duke e kthyer këtë material në një rrëfim të ndjerë dhe intim.
Mua më mungon të qenurit Rozana, vetë. Çfarë ndodh me muzikën? Ti duhet t’i përshtatesh pak edhe me ngjyrat që do publiku. Po shohim që publiku kërkon më tepër afro-house, po kalon edhe tek rap që dëgjon rinia shumë. Ti duhet t’i prekësh të gjitha moshat, adoleshentët…por ndërkohë nuk duhet që t’i ikësh identitetit tënd. Mua më pëlqen kitara, do të doja të bëja diçka më shpirtërore, më të ndjeshme që të kishte poezi. Mua poezia nuk më ka munguar ndonjëherë. Thashë që pse mos ta bëj këtë album me tre këngë ku unë shpreh disa ndjenja të miat ose disa pakënaqësi të miat në një lidhje qoftë e imja ose e shpikur dhe e fantazuar aty brenda, të sjellura në një mënyrë pak më artistike.
Çfarë e frymëzon Rozanën për të qenë kaq kreative në muzikë?
Jeta ime. Unë jam një njeri që shkruaj për gjërat e mia të vërteta, por ndërkohë edhe fantazoj sipër. Nuk na ka rrahur njeri në jetë sepse unë nuk do ta toleroja kurrë as te vetja ime as te dikush tjetër që të ngrejë dorën, për shembull siç është kënga “Ti s’ke zemër”, por ka qenë një moment që ka ndodhur diçka kur mua më ka frymëzuar.
Teksa po diskutonin në lidhje me BBV dhe katapultën që ky format të jep, Rozana ndau detaje duke e krahasuar edicionin e saj, përjetimin personal dhe edicionin e pestë që ka nisur dhe ka rrëmbyer një vëmendje shumë të madhe. Në lidhje me këtë Rozana rrëfeu se:
Unë duhet që ta falenderoj Big-un shumë, sepse po të mos ishte për Big Brother unë nuk do të isha rikthyer më koncerteve të mia. Imagjino kur e them unë që jam rritur në skenë. Unë e kam thënë që BBV është “Big”-u i jetës sime dhe unë do ta bëja 100 herë. E kam thënë që nuk të hap një penxhere ose një dritare, por mendoj që protagonistëve që janë këtë vit i ka hapur një tarracë. Sepse unë kam kuptuar që në BBV ka katër kategori lojtarësh. Të parët janë ata që kanë humbur fare dhe falë “Big”-ut kanë hyrë në lojë dhe kanë ardhur fuqishëm. Të dytët jemi ne që sa patëm një sukses kemi hyrë për të provuar veten tonë. Të tretët janë disa që kanë patur një dështim dashurie dhe kanë ardhur që t’i tregojnë publikut që di të bëj dhe më ndryshe. Të katërtit janë ata që nuk janë fare, por që BBV i ka prodhuar dhe të gjithë këta përfshirë dhe mua, pra artistët nuk jemi budallenj që marrim pjesë në Big.
Ajo theksoi se:
Askush nuk ka për të humbur nga Big Brother, njeriu humb nga goja e vet. Nga ajo që nxjerr nga goja, nga sjellja e vet. Nuk humb nga BBV, por vetëm fiton. Ata që janë atje brenda nuk më dëgjojnë, por uroj që të dinë ta marrin këtë eksperiencë dhe ta përdorin si atë monedhën e fundit që i ka mbetur në xhep dhe ti duhet ta shpenzosh në mënyrën më të mirë të mundshme sepse po e humbe e gjen ai tjetri.
Artistja vendosi që në Top Albania Radio të ndante disa detaje ekskluzive sa i përket krijimtarisë së saj muzikore dhe projekteve që na presin.
Po ju jap një lajm që të gjitha këngët e vjetra si “Fol zemër fol”, “Jepi gaz”, “Whiski koka kola”, “Rrotullo me gisht” do të vijnë të remix-uara. Wshtë një muzikë e remix-uar, po punoj. Ndërkohë po sjellim dhe “Humba Pranverën” të Frankos po ashtu të remix-uar me dy strofa të reja dhe me datën 14 Shkurt unë do të performoj, për herë të parë unë do të filloj koncertet në Tiranë. Duke qenë se është dita e të dashuruarve në mbrëmje këndoj në Tiranë, do të bëhet nami. Një nostagji e paparë, do t’i rikthejmë të gjitha këto këngët ndërkohë vjen pas një kënge të re që do nxjerr tani edhe dueti me Redon Makashin.
Më tej Rozana shtoi se:
Rikthehem në koncertin tim të parë, ndërkohë që kam ndërtuar edhe një band timin që në të gjitha clubet ku luhet muzikë live unë do të këndoj live. Është bërë një punë e mirë dhe intensive me një staf të mirë.