Këngëtarja e njohur dhe ish-banorja e Big Brother VIP Albania, Egli Tako, po rikthehet në skenën muzikore me një projekt të ri, këtë herë në bashkëpunim me artistin Sergio. Lajmin e ka konfirmuar vetë Egli përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ndau me ndjekësit disa pamje nga prapaskenat e videoklipit si dhe një fragment nga kënga e re.

Projekti i titulluar “Baby” premton një stil ndryshe, si në tinguj ashtu edhe në imazh. Në pamjet e publikuara, Egli shfaqet me një veshje me frymëzim kauboji, ndërsa klipi duket i kuruar deri në detaj, me një koncept vizual tërheqës dhe modern.

Ky duet me Sergio vjen në një moment ku karriera e Eglit është në rritje të vazhdueshme, dhe fansat e saj mezi po presin publikimin e plotë të këngës, që sipas artistëve, pritet të dalë shumë shpejt. Me vokalin e saj të veçantë dhe stilin e dallueshëm, Egli Tako synon që “Baby” të bëhet një nga hitet e verës, duke shtuar një tjetër sukses në repertorin e saj muzikor.