Me talentin e Edona Vatocit jemi njohur në “The Voice of Albania 2”, nga ku vazhdoi ëndrrën e madhe duke kënaqur publikun me zërin e saj. Këngëtarja, prej muajit tetor, ka nxjerrë në treg projektin e ri muzikor të titulluar “Hala”, i cili rezultoi një sukses për artisten. E nominuar në Top Awards, për kategorinë “Avantgarde Artist”, Edona shprehet tepër e kënaqur për këtë nominim përkrah emrave të muzikës si Era Istrefi, Noizy dhe MC Kresha.
E kontaktuar nga Top Awards në lidhje me këtë kandidaturë, Edona është shprehur: “Jam shumë e gëzuar që publiku ka filluar të zhvillojë shijet e veta përtej muzikës super komerciale që i ofrohet çdo ditë. Kohërat po ndryshojnë, kjo më bën tepër të lumtur”.
E pyetur nëse e kishte menduar që kënga “Hala”, e cila i përket rrymës “indie rock balade”, do të korrte një sukses të tillë, ajo ka thënë: “Nuk më duket e çuditshme që “Hala” ka korrur këtë sukses sepse ka kohë që jam e vetëdijshme që publiku po ndryshon, po bëhet më i hapur ndaj gjërave të reja”.
“Gjeneratat që kanë ardhur janë të pamëshirshme me dëshirën për ndryshim dhe jam e lumtur që mund t’i përfaqësoj në skenën e madhe”, shton këngëtarja.
Vatoci ka përfunduar këtë intervistë me një falenderim dhe një mesazh për fansat e saj, duke u shprehur: “Falenderoj fansat që deri tani më kanë dhënë mbështetje të jashtëzakonshme. Vazhdojnë të jenë elementi kyç që ushqejnë motivimin tim për realizimin e projekteve të reja. Çdo votë e juaja në këtë garë është një nxitje e fuqishme për një artiste si unë që vazhdoj rrugëtimin tim në këtë rrymë”.