I ftuari i radhës në emisionin “A je bre normal?” nga Meriton Mjekiqi, ka qenë Bletapërtace, një nga artistët më të rinj e të talentuar të tregut muzikor. Vetëm 21 vjeç, ai ka arritur të ngjisë shkallët e suksesit, i palodhur e me synimin për të ecur gjithmonë përpara. Bletapërtace ka folur në këtë intervistë për hapat e parë të karrierës së tij e deri tek albumi “Çka ki mu bo kur t’rritesh?” dhe mesazhin që vjen pas kësaj…
Përse ky emër, bletapërtace?
E para, vërtet kam qenë dembel, përtoja të bëja punë të tjera përveç muzikës. Por e dyta është që thyen tabutë e çdo emri që ke dëgjuar ndonjëherë. Dhe kjo është një lloj filozofie e muzikës sime.
Kur ke nisur të merresh me muzikë?
Si ide muzikën e kam nisur që i vogël, që 8-9 vjeç, si ide që është mirë të merrem me të. Në moshën 12-vjeçare kam filluar të shkruaj. 15 vjeç kam nisur të publikoj në YouTube. Pra kam 9 vjet që shkruaj dhe 6 vjet që jam në YouTube.
Çfarë të ka shtyrë të merresh me muzikë?
Është e vetmja gjë që më ka bërë të ndihem mirë dhe i gjallë. Ajo që më ka përmbushur është kur kam bërë muzikë. Nuk kam mundur ta shoh veten në ndonjë profesion tjetër.
Albumi yt “Çka ki mu bo kur t’rritesh?” ka 21 këngë. Pse kjo zgjedhje me kaq shumë këngë për një album?
Kam mundur të bëj një album me 8 apo 10 këngë, por do ishte si playlist jo si album. Unë albumin e trajtoj si formë që të gjitha këngët janë të lidhura me njëra-tjetrën, si një libër, si film apo dokumentar. 21 këngë kanë qenë të nevojshme për të përcjellë atë që kam dashur të përcjell me albumin. Koncepti i albumit është pyetja “Çka ki mu bo kur t’rritesh?”, “Çfarë do të bësh me jetën tënde?” Nuk është një përgjigje që e di, por rrugës e mëson, ndërrohet, është gjendje. Është rrugëtim, më shumë se përgjigje.
Sa kohë është dashur për të përgatitur albumin?
Si koncept ka nisur para 2 vitesh, por gati 6 muaj kemi kaluar duke folur çdo natë rreth albumit e duke punuar për të.
Ku e ke gjetur ti frymëzimin?
Çdo gjë që e them në muzikë është reflektim i realitetit ku jetoj unë ose rrethi im. Muzikën e kam përdorur gjithmonë si mjet për t’u shprehur, si shok. Prej fillimeve të mia e kam trajtuar si një psikolog, ky ka qenë raporti im me muzikën.
Shumë artistë thonë që nuk i përkrahin dhe nuk i hapin dyert në showbiz. Si e sheh ti këtë?
Kjo ndodh kudo, jo vetëm në muzikë, ku njerëzit e krijojnë atë mitin që nuk po të hapen dyert. Por kur punon pa marrë parasysh asgjë tjetër, mendoj që e bind vetë çdokënd që duhet të të suportojë. Edhe nëse nuk të suportojnë, do e gjesh vetë mënyrën si të hapësh derën tënde. Kur jam ndierë si i bllokuar, më është dukur një emocion shumë i keq. Por me kalimin e kohës kam kuptuar që është dashur të ndodhin ato që kanë ndodhur, që të rritesh si artist e të vijë momenti që e meriton të të hapet dera. Më mirë të mos më hapet dera kurrë nëse nuk jam i mirë për atë dhomë ku jam duke hyrë.