E ftuar në emisionin “Lancio” me Erma Micin dhe David Anthony Prifti ka qenë Sara Bajraktari. Edhe pse ajo ka vite që punon në industrinë tonë muzikore, për shumë dëgjues mund të jetë një emër i ri. Së fundmi, ajo është bërë pjesë e “The Top List” me projektin titulluar “Alarm”.

Si do i prezantoheshe ti publikut?

Sara Bajraktari është një kënfëtare ende jo aq e famshme, por që jam drejt asaj rruge, shpresoj. Jam një këngëtare e mirëfilltë, që nuk kam pasur shume dalje nëpër skena, por që mbrapa skenave jam marrë shumë seriozisht me këngën. Po pres që të vijë ajo ditë që të shpalos anën time artistike dhe vokale.

Ti ke marrë pjesë në shumë kompeticione, cili është komenti më i shpeshtë që të kanë bërë për zërin tend?

Më kanë thënë që zëri im të emocionon.

Si është për ty që të punosh për diçka që është totalisht e jotja?

Mund të them që është më e vështirë se kompeticionet, ose festivalet. Unë nuk e di pse specifikisht, por ndoshta edhe ngaqë është diçka origjinale, po del vetëm nga ti dhe nuk po bën covers të këngëve të të tjerëve. Është edhe frika a do ecë apo jo, apo frika ndaj gjykimeve për shprehjen tëndë artistike.

Disa e kanë konsideruar këngën “Alarm” si një këngë që i dedikohet kombëtares shqiptare. Si lindi e gjitha?

Po, është një këngë që i dedikohet kombëtares shqiptare. Unë mora një telefonatë nga Olsi Bylyku, më tha që kishte një projekt dhe të shkoja në studio për ta provuar. E aprovova direkt. Më joshi ritmi i këngës dhe tema e këngës. Këngë dashurie dhe ndarje ka plot, kurse të tilla që i këndojnë Shqipërisë dhe stadiumit nuk ka shumë.

A e synon tregun ndërkombëtar?

Patjetër, kush nuk e dëshiron?! Shohim që të gjithë artistet e mëdha aty po synojnë, por është shumë e vështirë të çash. Unë po synoj njëherë të çaj këtu, këtu e kam synimin. Është ajo shprehja: “Guri i rëndë në tokën e vet”.