E ftuar në emisionin “Pardon My French” në Top Albania Radio për një intervistë ekskluzive ka qenë ish-finalistja e edicionit të katërt të “Big Brother VIP”, Egli Tako. Artistja e njohur ka zbuluar shumë detaje jo vetëm për karrierën e saj muzikore, eksperiencën në shtëpinë më të famshme, jetën personale dhe jo vetëm kaq…
Kur u pyet nga Jonida se si po ndihet me eksperiencën e re si moderatore në “Yes Day” në “E Diell”, ajo u shpreh se:
Po ndihem mirë, shumë natyrshëm. Nuk më vjen si diçka që po e bëj si profesion apo si diçka që po e bëj për herë të parë. Më duket sikur e kam bërë ndërvite këtë gjë dhe e ndjej veten shumë të lirshme.
Të menaxhosh një emision ku në fokus janë fëmijët sigurisht që ka vështirësi, si ka arritur t’ia dalë deri më tani Egli?
Është e vërtetë kjo. Ndoshta më ka rastisur deri më tani që të jem shumë me fat dhe t’i kem patur më të pjekur se çfarë i prisja fëmijët në studio pavarësisht se janë moshë e vogël.
Në “Yes Day” Egli shpeshherë është përlotur nga emocionet që janë përcjellë nga historitë.
Jam natyrë emocionale të them të drejtën. Kanë qëlluar edhe tematikat që kanë pasur të bëjnë edhe me moshën e tretë, prindërit. Janë gjëra për të cilat unë jam vulnerabël në disa tema të caktuara që më bëjnë instiktivisht që të prekem.
E ka pasur gjithmonë si qëllim moderimin Egli?
Si qëllim nuk mund të them, por që e kam ditur se kam premisa për ta mbajtur peshën e moderimit po, e kam nuhatur edhe unë tek vetja ime si aspekt.
Pasi të mbarojë “Yes Day” si projekt, ka në plan Egli diçka tjetër?
Kam, patjetër që e kam në plan diçka tjetër. Nuk është se e kam si natyrë që të parashikoj të ardhmen ose të eci në të, por dua që të bëj mirë atë çfarë po bëj tani. Gjihmonë e kam një parapërgatitje të vogël dhe e kam një plan B. Jam duke menduar për diçka, por nuk mund ta them konkretisht se çfarë.
Lei i bëri një pyetje direkte nëse do të donte që ta prezantonte “Big Brother VIP Fan Club” dhe Egli u përgjigj duke thënë se:
Me thënë të drejtën patjetër që po. Nëse do të më besohej do të isha shumë e lumtur, por unë nuk jam natyra që i ngacmoj njerëzit ose të shkoj ti them dikujt që ‘shiko jam dhe unë, a do të më konsiderosh’. Unë mendoj që sidomos në këtë moment që jemi askush nuk e ka nevojën që ti t’i dalësh përballë dhe ti thuash që je këtu.
Ti i di vlerat pak a shumë tani e dinë edhe aftësinë në moderim kushdo që e ka kompetencën e përzgjedhjes dhe nëse e meritoj po dhe është kaq e thjeshtë…
Duke u ndalur tek muzika, Egli ka zbuluar se si ka ardhur bashkëpunimi me Anxhelo Koçin dhe se çfarë po ndodh me kanalin e saj në YouTube dhe menaxhimin e të bërit art.
Anxhelon unë e vlerësoj shumë si artist, njeri dhe si shok. Kemi një energji jashtëzakonisht shumë të mirë me njëri-tjetrin. Anxhelo ka krijuar edhe një këngë tjetër të publikuar më parë, një bashkëpunim që unë e kam me Kellyn që është publikuar gjatë kohës që unë kam qenë në Big Brother. Si të thuash, unë ia di krijimet dhe e di se çfarë është i aftë ai që të bëjë dhe ia dua shumë edhe muzikën për të qenë e sinqertë.
Thjesht spontanisht e kam kontaktuar unë, doja të kisha një bashkëpunim përpos materialeve të tjera që Anxhelo ka bërë për mua. Kështu ka ardhur, kemi shkuar në studio dhe kemi punuar. Unë e kam iniciuar. Ai e kishte një material në mendje dhe pastaj pjesa tjetër është ndërtuar shumë natyrshëm nga energjia shumë e mirë e të dyve bashkë.
Tani jam Egli Tako, është akoma në proces hapje kanali i ri. Do të jetë i gjithi në autorsinë time, sepse unë deri më tani nuk e kam pasur kanalin në autorsinë time. Pra unë nuk kam pasur asnjë të drejtë mbi kanalin dhe nuk kam fituar asgjë pasi kështu kanë qenë të bëra bisedat nëpërmjet bashkëpunëtorëve.
Nga një moment i caktuar dhe mbrapa thjesht kuptova që kjo industria është biznes dhe unë po punoj për të tjerët dhe jo për veten time. Thjesht kam marrë përsipër që të hap kanalin tim që ai emri im të ketë atë autorësinë e vet aty siç duhet të funksionojë normalisht. Të investoj në krijimet e mia dhe të vazhdoj punën. Kjo është e gjitha.
Kur u pyet nëse ka ndonjë artist që e ka fiksim dhe do të donte të bashkëpunonte, Egli u shpreh se:
Kam vlerësim për shumë artistë, por jo fiksim. I vlerësoj shumë për punën që bëjnë shumë artistë të estradës.
Nuk po flasim për kushtet e të ftuarit pasi deri më tani mua vetëm më kanë marrë të ftuar. Bisedat mund të jenë bërë që do të vish te një këngë për mua, do vish te kënga ime pastaj ka përfunduar gjithmonë duke qenë Egli e ftuar. Kështu që jo.
Ajo theksoi më tej se:
Megjithatë unë i kam shijuar sepse janë projekte muzikore, është muzikë në fund të ditës dhe nuk ka problem. Jo çdo gjë është fitimi, janë edhe pasion.
Sigurisht që është fillimi. Janë gabime që le të themi i bëjnë nga pak në fillimet e tyre, sidomos në momente pak vulnerabël, por asnjëherë nuk është vonë. Mendoj se nga tani dhe mbrapa të punojë Egli për Eglin me Eglin dhe patjetër që me dëshirën për të bashkëpunuar me artistë.
Një vend të veçantë zë edhe aktrimi për të duke qenë se edhe ka studiuar, pavarësisht muzikës mendon Egli që të jetë pjesë e kinematografisë në të ardhmen?
Po e them këtu ekskluzivisht, jam në bisedime në lidhje me një projekt kinematografik. Nuk kam vendosur diçka konkrete akoma, por jam duke pritur që t’i hedh një sy skenarit që ta lexoj sepse është hapi i parë që bëhet në fakt për të parë nëse të përshtatet ose jo. Por që po dhe në fakt është diçka që unë mendoj që e kam manifestuar pa e manifestuar sepse unë gjithmonë e kam parë veten në projekte kinematografike dhe është një pjesë e imja, shkollimi im kështu që e dua shumë. Pse jo.
A do ta merrte në konsideratë Egli tani nëse do t’i vinte një ftesë për të luajtur në një shfaqje në teatër?
Absolutisht që po, unë kam luajtur në teatër dhe do të vazhdoja që të luaja me shumë dëshirë sepse teatri është i jashtëzakonshëm, është i prekshëm. Komplet një tjetër ndjesi.
Jonida e pyeti Eglin në lidhje me komentet negative si arrin t’i përballojë nëse ndikohet dhe a është mësuar tashmë me to?
Mos u mëso po deshe, të mëson vetë rutina. Askujt nuk i vjen mirë që të dëgjojë fjalë të këqija për veten, sidomos kur ti nuk i ke bërë absolutisht asgjë këtij personi që po të komenton. Nuk të njeh dhe nuk e njeh, por kur e mendon që vijnë pikërisht nga këto persona që ti nuk i njeh, kupton që këta nuk e kanë me ty drejtpërdrejt, nuk kanë asgjë me ty sepse nuk kanë çfarë të kenë.
Ajo shtoi gjithashtu se:
E kanë frustrim të vetin dhe duan që ta shprehin diku atë që mendojnë, gjejnë tastierën dhe e bëjnë. Kjo gjë nuk të ndikon fare në jetën tënde praktikisht.
Lei e pyeti Eglin në lidhje me preferencat e saj për një mashkull nëse kanë ndryshuar tani pas përfundimit të Big Brother VIP, artistja u përgjigj duke shpjeguar gjithçka.
Po, në fakt më kanë ndryshuar gustot. Kam kuptuar që dua diçka tjetër, meritoj diçka tjetër nga një marrëdhënie romantike sepse e njoh veten time, e di çfarë njeriu jam, e di se sa shumë bëj dhe jap te një njeri. Meritoj të marr të njëjtën vëmendje nuk po them më tepër, por pse jo edhe më tepër sepse në fund të fundit jemi vajza dhe e meritojmë. Të paktën të njëjtën dashuri dhe pastërti që dhuron.
Gjatë një pyetësori të shpejtë “Pyetje-Përgjigje”, kur u pyet për partnerin dhe tiparet që do t’i pëlqenin ajo u shpreh:
Nuk jam natyrë që e dua partnerin e bukur, të jetë i këndshëm, i lezetshëm, burrëror dhe po të ketë pak humor.
Kur Jonida e pyeti në lidhje me gjendjen sentimentale dhe a është e hapur për një marrëdhënie të re, Egli tha se:
Di që jam shumë mirë me veten time dhe në momentin që je shumë mirë me veten gjërat e bukura vijnë. Unë jam e hapur për çdo gjë që Zoti e ka bërë risk për mua, jam pak me këtë mentalitetin që gjërat janë të shkruara dhe ndonjëherë kur i kërkon është më keq. Unë po jetoj jetën time shumë e lumtur, shumë falenderuese ndaj Zotit dhe ndaj çdokujt që jam kaq e përmbushur sa sot.
Për momentin fokusi është kujdesi ndaj Eglit.
Në muajin korrik të këtij viti, këngëtarja tërhoqi vëmendjen e publikut dhe mediave pas një paraqitjeje në një koncert të organizuar në Drenicë. Rikujtojmë se performanca e saj u bë virale në rrjetet sociale, jo vetëm për këngët e interpretuara, por edhe për një moment të papritur që ndodhi në skenë. E mbështjellë me flamurin kombëtar shqiptar, Egli hapi performancën duke nisur një thirrje që zakonisht dëgjohet në stadiumet e futbollit, konkretisht: “Serbi, Serbi…”, ndërsa publiku iu përgjigj me korin e njohur “Të q** motrën!”.
Këtë situatë Egli zgjodhi që ta sqaronte në Top Albania Radio duke shpjeguar gjithçka dhe duke theksuar se:
E kam përjetuar vetëm për faktin se si çdo gjëje tjetër i vihen bishta nga mbrapa dhe tjetërsohet historia sepse normalisht që lajmi dhe titulli shesin. Ti nuk e di fare se si ka ardhur situata në atë pikë, unë nuk kam qenë iniciatorja e të bërtiturit kundër Serbisë edhe pse në fund të ditës, pse mos të isha?
Nuk e di pse ju dhemb kaq shumë shqiptarëve domethënë, se për herë të 250 u tha edhe njëherë tjetër kjo gjëja që nuk e di se sa vite ka që thuhet. Nuk e di pse këtë radhë i pickoi kaq fort dhe e morën kaq personale. A i kanë rregulluar marrëdhëniet me serbin, ku e di unë?
Egli shtoi se:
Nuk më shqetëson vetëm për faktin se unë e di shumë mirë se si ka ardhur si situatë. Unë, nga goja ime, nuk kam nxjerrë në as edhe një moment të vetëm asnjë fjalë banale. Turma e nisi atë gjë, u bëra pjesë me ta, e ndjeva të bëhesha. Kaq, pikë. Mbaroi muhabeti. U desh të bënim një gol historik ndaj Serbisë që të rikthehej dhe të thonë “Kjo është gjendja ime në këto momente.” Kur kjo është gjendja që ti e ke masakruar ti deri dje.