Asgjë Sikur Dielli është një grup muzikor shqiptar nga Kosova, i themeluar në fillim të viteve ’90 dhe krijon muzikë në rrymën alternative. Deri më sot kanë lançuar dy albume të plota, “1” i publikuar në 1998, dhe “Ndodhemi” publikuar në 2005. Përbërërja e grupit në vitin 2006 ishte me këta anëtarë të rregullt: Alban Nimani-vokalist, Bujar Hundozi-kitarist, Visar Qeska-basist, Fatos Berisha-baterist, Blerta Kosova dhe së fundmi Pëllumb Ballata. Grupi deri më tani ka qenë i suksesshëm duke qenë ndër grupet e rralla që janë mirëpritur në koncerte live, në Kosovë e po ashtu në Shqipëri. Karriera e tyre startoi me një ripunim të këngës së Gjurmëve, “Mendoja se çdo gjë merr fund pa ty”, që edhe sot njihet si një nga ripunimet më të mira në muzikën shqipe. Pas këtij ripunimi Asgjë Sikur Dielli njihen edhe për këngët e tyre të vera, që njihen për origjinalitet dhe kanë sjellë në muzikën shqipe një frymë të re alternative.