Aldor Dore ka lindur në Fier dhe jeton në Tiranë. Ai është fëmija i madh i dy mësuesve që i ushqyen dashurinë për muzikën që në fëmijëri. Muzika ka qenë pasioni i tij më i madh, por rrethanat kanë qenë të tilla që i është dashur të marrë drejtim komplet tjetër në jetë. Megjithatë, ka vazhduar të kompozojë, të shkruajë tekste dhe të merret nga pak me muzikën në mënyrë autodidakte. E ka ndihmuar në krijim njohja e pianos, kitares dhe kajonit si instrumente.
Vazhdimisht Aldor ka krijuar me një pasion që vazhdon të jetë aq i fortë sa kur ishte fëmijë, por i ka munguar guximi per t’i publikuar. Duke qenë se vitet ikin shumë shpejt, u bind që të tentojë, t’i japë një formë ëndrrës së tij, në mënyrë që të mbetet diçka e prekshme nga natyra e tij prej artisti, pavarësisht sesi do të shkonte.