Anxhelo Koçi, një këngëtar mjaft i përlqyer tashmë për publikun e “The Top List”, është rikthyer në klasifikim me një tjetër projekt të ri muzikor. “I vetmi mban titullin kjo prurje e re e artistit, për të cilën zbulon se kishte kohë që ishte punuar por që qëndronte në arkivat e tij.

Në një intervistë të dhënë për “Top Awards”, këngëtari ka zbuluar më shumë sa i përket këngës por njëkohësisht edhe për planet e kësaj vere, duke dhënë madje edhe një premtim.

TA: Duket se Qershori është muaji yt apo është thjesht një koecidencë që zakonisht projektet e tua publikohen këtë muaj?

Anxhelo Koçi: Zakonisht nuk para bëj plane sa i përket publikimit të këngëve të mia. Thuajse të gjitha këngët që unë bëj vijnë dhe publikohen spontanisht por me sa duket “Qershorit” i pëlqenkan këngët e mia. (Qesh)

TA: Ky projekt muzikor ka qënë në arkivat e tua apo është punuar së fundmi?

Anxhelo Koi: Kënga “I vetmi” ka kohë që është kompozuar dhe ka qënë në arkivat e mia prej dy vitesh. Mendova ta publikoj tani pasi ishte thjesht shije personale dhe shpresoj që t’i ketë pëlqyer publikut.

TA: Duke qënë se jemi zyrtarisht në sezonin veror, mos ndoshta duhet të kishit ardhur me një këngë më ritmike?

Anxhelo Koçi: Kam menduar edhe për këtë sezon veror. Patjetër që do të vi me një tjetër këngë surprizë dhe korriku nuk do të ngelet pas dhe besoj se do të lë një shenjë të mirë për këtë verë. (Qesh)

TA: Sa i përket klipit, ku dhe kur është xhiruar ai, duke marrë parasysh periudhën e pandemisë që kaluam?

Anxhelo Koçi: Në fakt klipi i këngës “I vetmi” është xhiruar brenda ditës duke marrë parasysh, sic e përmendët edhe pak më lart që jemi dhe në kohë pandemie, normalisht ishte një klip modest dhe bashkë me stafin e “NDfilmpro” menduam ta xhirojmë brenda qytetit të Tiranës.

TA: Sa ndikoi karantina në prishjen e planeve të së ardhmes?

Anxhelo Koçi: Thuajse të gjithë ne, si çdo vit kemi obligime dhe plane të reja për atë cfarë duam të arrijmë dhe unë isha një ndër ta pasi këtë vit kisha planifikuar shumë punë, shumë këngë dhe bashkëpunime por ne bëjmë plane dhe Zoti qesh apo jo? (Buzëqesh)

TA: Kanë filluar prenotimet për sezonin veror?

Anxhelo Koçi: Të them të drejtën këtë sezon veror kam patur data koncertesh si brenda edhe jashtë vendit por për shkak të pandemisë janë anuluar, jo të gjitha por një pjesë e mirë e tyre. Uroj dhe shpresoj që kjo kohë të kalojë shumë shpejtë dhe jo vetëm për mua po për të gjithë këngëtarët shqiptarë, në mënyrë që t’i rikthehemi rutinës tonë, duke bërë atë çfarë dimë të bëjmë më mirë, të këndojmë afër publikut tonë të dashur sepse ata janë motivimi jonë.