Mëngjesin e sotëm e ftuar në studion e “Wake Up”, ka qenë artistja e dashur Albina Kelmendi. Ajo ka publikuar së fundmi bashkëpunim e saj me Aurela Gaçen, “Motra jem”, për të cilin zbuloi më shumë detaje. Nga ana tjetër ajo kujtoi dhe fillimet e saj të para të karrierës, nga pjesëmarrja në The Voice, Top Fest, e deri tek përfaqësimi i Shqipërisë në Eurovision…
Pse erdhët me një baladë, jo me këngë shpërthyese?
Njerëzit janë mësuar të na shohin me atë shpërthimin. Jam e lumtur që u realizua bashkëpunimi me Aurelën. E kam dashur gjithmonë këtë bashkëpunim, sepse unë jam rritur me të, duke u inspiruar nga një artiste si Auela. Jam e lumtur që jetoj në epokën e saj, në kohën e saj dhe ta kem si dëshmi një bashkëpunim me Aurelën. Më vjen mirë që pranoi ftesën time. Unë jam pak e turpshme kur vjen puna për të kërkuar një bashkëpunim. I kam frikë refuzimet, duke marrë parasysh se Aurela ka pasur shumë angazhime. Me Aurelën kam komunikim sepse më ka mbështetur që nga koha e The Voice, që kur kam filluar të këndoj. ‘Motra’ është edhe e kontekstit Kosovë dhe Shqipëri. Kënga i dedikohet dashurisë më të sinqertë siç është motra për motrën, vëllai për motrën, por edhe si dy motra që jemi një komb, por jemi fatkeqësisht dy shtete.
Si e ka pritur publiku?
Publiku e ka pritur jashtëzakonisht mirë, përveç faktit që prisnin diçka ritmike. Por është mirë kur publiku pret diçka totalisht ndryshe dhe ti e befason. Është një këngë shumë shpirtërore, që ka ndjenjë shumë të veçante brenda, sidomos për Aurelën që e ndiente më afër se unë, sepse e ka motrën në Amerikë, unë i kam aty afër. Ishte ndjesi e veçantë.
Si erdhi ideja e atij videoklipi?
Mezi gjetëm një ditë të përbashkët që të bëhemi bashkë, por gjithçka ka shkuar shumë mirë. Kemi dashur një videoklip të tjeshtë, të pastër, shumë shpirtëror. Sa më thjesht aq më bukur.
Si i kujton performancat e tua ndër vite?
The Voice mbetet shtylla kryesore ku pata fatin të filloj karrierën time. Pas asaj ishte pak e vështirë, sepse isha mësuar të merresha në mënyrë profesionale. Dhe të kthehem e të bëj muzikë me një kitarë në një lokal shumë të vogël, ishte goxha e vështirë. Prita sepse nuk kishte festivale apo garë që të vazhdoja karrierën, deri tek Top Fest, na mungojnë të tilla skena. Pastaj në Top Fest ishte një eksperiencë e rrallë, çfarë nuk kam bërë, jam bërë birale dhe me pamjen time. Do i jem mirënjohëse gjithmonë The Voice, sepse ka qenë një start i fuqishëm për mua.
“Rrugë me nota”, quhej albumi yt i publikuar një vit më parë. Pse e titullove kështu?
Sepse gjithë rrugëtimi im është rrugë me nota. Kënga e parë është rock, çdo këngë mban në vete ato që kam prekur unë si këngëtare. “Ftyra jem”, kënga e parë, tregon gjithë atë që unë e ndiej por nuk nuk mund ta shpreh.
Ke sjellë album, ke përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision, çfarë ka mbetur akoma pa bërë?
Qëllimin tim si artiste e kam arritur që të përfaqësoj Shqipërinë në Eurovision me gjithë familjen time. I gjithë rrugëtimi im është histori më vete, me gjithë uljet dhe ngritjet e veta, që duhet kohë t’i shpjegoj. Ajo që dua nga karriera ime tani është që të punoj me kompozitorë të mirë, me tekstshkrues të mirë, të sjell bashkëpunime të mira, siç ishte ky me Aurela Gaçen.