Këngëtarja KOKA, e cila u kthye shumë shpejt në një nga më të preferuarat e publikut, ka publikuar këngën e saj më të re “No Substitute”, që u bë menjëherë pjesë e The Top List. Ky projekt renditet në vend të 37-të të klasifikimit të kësaj jave. KOKA ka treguar në një intervistë eksluzive për Top Awards më shumë detaje lidhur me këtë këngë, e cila u xhirua në jug të Shqipërisë dhe planet e saj të ardhshme.

Si të erdhi ideja që të xhiroje klipin në Shqipëri? Një mall për vendlindjen ky?

Patjetër, kam gjithmonë mall për vendlindjen. Kënga përmban motive të muzikës shqiptare, të ndërthurura në një produksion bashkëkohor. Më pëlqente ideja e koherencës midis muzikës, e cila ka të njëjtën atmosferë, e bukur dhe pak alternative – ashtu edhe natyra shqiptare: e bukur dhe pak e egër. Bashkë me Lindahl (bashkëkrijuesi i KOKA) ishim për pushime në jug, nga kam edhe prejardhjen. Meqenëse plani parësor që kisha për të xhiruar videoklipin e kënges (po në Shqipëri) nuk eci për shumë arsye, vendosëm të marrim me vete dronin që kemi blerë dhe të filmojmë spontanisht. Kur shkuam në kanionin e Gjipesë, ideja ishte të filmonim sa më shumë në ato 30 min e ndriçimit perfekt në kanion. Pjesa tjetër e efekteve është e qëllimshme – për të përforcuar metaforën që paraqitet. Në përmbledhje mund të them, ishte shumë spontane.

Po bën hapa të mëdhenj për sa i përket projekteve muzikore, mendon se të qenit më shumë aktive do të ndikojë dhe tek publiku?

Hapat e mëdhenj i dedikohen vendimit tim që t’i perkushtohem më në fund full time muzikës. Në 3 vitet e fundit kam shkruar shumë këngë  dhe të mendosh, këngët që publikohen janë shkruar dhe përpunuar goxha me përpara…pra, për një artist çdo këngë që publikohet është një shans të vijë më afër publikut por edhe të fokusohet në rritjen më tej të “veprimtarisë muzikore” dhe të shtojë repertorin.

Çfarë ke rezervuar për ne pas “No Substitute”?

Në plan janë edhe dy publikime single këtë vit. Duke qenë se disa aspekte organizative – ndërkohë që projekti po rritet –  janë të paqarta për momentin, nuk do prononcohem për çfarë do të vijë. KOKA sapo ka marrë një fond të konsiderueshëm nga shteti gjeman – gjë që do i lejojë albumit që del në çerekun e parë të 2022 të shoqërohet me shërbimin marketing që meriton. Çdo gjë është e hapur që tani e tutje.

Çdo këngë e jotja e fundit ka hyrë në klasifikimin e The Top List, a premton të njëjtën gjë dhe projekti i rradhës?

Nëse nuk është pengesë gjuha angleze për Top Awards, besoj se po. Por mbetemi te  Indie – Art Pop.

A do të xhirohet dhe klipi i ardhshëm në Shqipëri?

Shoqërimi i projektit të ardhshëm me video muzikore është aktualisht i paqartë. Do të ketë tjetër lloj ngacmimesh vizuale por puna është shtuar edhe prej hapjes së koncerteve në Gjermani. Është koha të dalim të luajmë live (put your shoes on, darling…)

Kur do të të dëgjojmë duke kënduar shqip?

Nuk ka dalë ende asnjë këngë nga Etheri Universal në shqip për mua (duke konsideruar që këngët më vijnë natyrshëm siç janë – nuk mendohem gjatë) – mbase sepse synimi i brendshëm është stabilizimi në platformë evropiane dhe internacionale, në mënyrë që të shpërndahet mesazhi sa më shumë. Ngacmimet e motiveve si tek “No Substitute” do i hapin rrugën edhe krijimit në shqip ndërkohë që kurioziteti dhe publiku do jetë shtuar, hap pas hapi.