Mund të themi me bindje se Yll Limani është një ndër ish-konkurrentët e “The Voice” që ka rezultuar mjaft i suksesshëm. Momentalisht ai është shndërruar në një ndër artistët më të kërkuar të momentit, këngët e të cilit kanë marrë një vëmendje të madhe në publik.

Falë zërit të mrekullueshëm dhe teksteve mjaft melankonike, artisti ka bërë për vete një grup të madh fansash, të cilët nuk rreshtin së mbështeturi këngëtarin në cdo hap të karrierës së tij muzikore.

Kjo javë e ka risjellë Yllin sërish në qendër të vëmendjes, duke renditur në vendin e parë më prurjen e tij më të re muzikore, “Engjej”. Ndërkohë që javën e kaluar kjo këngë mbante vendin e tretë, kjo javë e ka ngjitur më dy pozicione, duke e shpallur këngën më të votuar dhe të dëgjuar.

Po kjo nuk është e vetmja këngë që e ka renditur mjaft mirë Yll Limanin në listë. Nëse do të kthehemi pas në kohë, kujtojmë se disa nga këngët e artistit janë renditur në pozicione mjaft të rëndësishme.

Kujtojmë projektin solo të artistit “Nuk po kalojka” e publikuar në korrik të vitit 2019-të, e cila ka arritur të rrëmbejë vendin e parë. Kjo këngë vazhdon ende të jetë pjesë e klasifikimit të “Top Awards” dhe për këtë javë mban vendin e 43-të.

Një tjetër projekt i Yllit, i cili ka arritur të rrëmbejë vendin e parë është bashkëpunimi me Majk, “Krejt ti fala”, i cili shënon javën e 71-të në klasifikimin zyrtar të “The Top List”.

“Dritat”, bashkëpunimi i Yll Limanit me 2PO2, ka qënë një ndër këngët mjaft të suksesshme të dy artistëve. E publikuar rreth dy vite më parë, kjo këngë ka arritur të renditet e para në klasifikim.

Sigurisht duhet të theksojmë se një pjesë e mirë e këngëve të Yllit ka arritur të renditet edhe në “Top 5”, duke e bërë artistin pjesë të zonës së nxehtë.