Falë projekteve më të fundit muzikore, Yll Limani është shndërruar në një nga këngëtarët më të suksesshëm të momentit.

Një sukses të madh, artisti po korr me bashkëpunimin e tij me 2PO2, “Dritat”. Kjo këngë, e cila është bërë pjesë e klasifikimit të “The Top List” rreth 11 javë më parë, këtë javë është votuar masivisht nga fansat, duke mbërritur vendin e dytë.

Në një intervistë të dhënë për “Top Awards”, Limani ka folur për suksesin e këngës dhe u jep përgjigje disa kritikave të marrë nga fansat.

TA: Si lindi ideja për këtë projekt muzikor? Pse zgjodhët pikërisht 2po2?

Yll Limani: Ideja për këtë projekt lindi si pasojë e frymëzimit nga artistët botëror që kultivojnë zhanrin e muzikës “RnB”. Doja të bëja diçka në shqip, por që si frymë të mos ishte në rrymat e trendeve ballkanike. 2po2 ishte personi i duhur që me zërin dhe tekstin e tij, ndjeva se do e kompletonte këngën dhe qëllimin që synoja me këtë projekt.

TA: Kush është kujdesur për muzikën, tekstin dhe klipin?

Yll Limani: Për muzikën është përkujdesur Gzim Lazri dhe unë, për tekstin unë dhe 2po2, ndërsa për klipin “Imagine Films”.

TA: Disa fansa janë shprehur se klipi nuk ka lidhje me këngën, ju si mendoni?

Yll Limani: Ai ishte dhe qëllimi ynë. Kënga të rrëfente diçka tjetër, ndërsa klipi diçka tjetër. Por nëse analizohet me më vëmendje, këto dy rrëfime përkojnë në fund me njëra-tjetrën më shumë sesa mendohet. Nëse e dua vetëm kur ndalen dritat, i bie që nuk mund ta dashuroj. Dhe njeriu që nuk mund të dashurojë, është si i vdekuri.

TA: Ju krahasojnë me The Weeknd, çfarë mendimi keni për këtë? A ju frymëzon ai sadopak në muzikën që bëni?

Yll Limani: Patjetër. Ed Sheeran dhe The Weeknd janë dy influencat më të mëdha në muzikën time dhe refuzoj të mendoj se këtu ka diçka të keqe.

TA: Gjatë kësaj javë keni korrur një super sukses në “The Top List”, duke zënë vendin e dytë, e prisnit këtë rezultat pozitiv të këngës?

Yll Limani: E prisja në njëfarë mënyre ose tjetrën sepse është këngë që të ngjit dhe shumë njerëz mund ta gjejnë veten në të.

TA: Një mesazh për të gjithë mbështetësit e muzikës tuaj…

Yll Limani: Faleminderit për përkrahjen pakusht që ma dhuroni. Jam përjetësisht mirënjohës.

TA: Keni në plan të punoni për ndonjë album?

Yll Limani: E kam ëndërr! Por që a do arrij ta realizoj deri në fund të këtij viti, mbetet për t’u parë.

Ta: Po për projektin e radhës, keni menduar?

Yll Limani: Për momentin, kam tre këngë të përfunduara por që me menaxhmentin nuk është se e kemi vendosur akoma se cilën do lançojmë të radhës. Le të mbetet surprizë.