Mimoza H, këngëtarja me origjinë nga Kosova por që jeton në Montreal, është e njohur për publikun shqiptar falë projektit muzikor “The Wild Woman”, i cili rezultoi tepër i pëlqyer. Ndërkohë që ka kaluar më shumë se një vit që nga publikimi i fundit muzikor, këngëtarja ka vetëm dy javë që ka nxjerrë në treg prurjen e saj më të re të titulluar  “Well of Melodies”

Kënga “Well of Melodies” që në gjuhën shqipe i bie “Pus i melodive”, përmban elementë elektronike por me një “groove” dhe frymë alternative. Ka tinguj që krijojnë një atmosferë sonike abstrakte si një pikturë e punuar mbi një ritëm elektronik dhe një linjë bass-i të thellë dhe përsëritës.

Po çfarë nxiti shkrimin e kësaj kënge? E kontaktuar nga “Top Awards”, Mimoza ka thënë: “Well of Melodies” ka të bëjë me një emocion që kisha përjetuar një ditë me diell të kaluar në çatinë time. Isha në një gjendje meditimi për një kohë dhe ndërsa truri im ngadalë filloi të kthehej në realitet, me kaploi një ndjenjë nostalgjie rreth rëndësisë së marrëdhënies tonë me natyrën. U ndjeva si brenda një pusi të dashurisë dhe një nevoje të thellë që të jemi më të lidhur e të afërt me njëri-tjetrin dhe mjedisin tonë ku jetojmë. Mendova se si çdo person duhet të ketë të drejtën të ndihet e te jete i lirë nga presionet shoqërore dhe fetare. Besoj se natyra dhe mrekullite e saj duhet te jenë feja jonë e vetme dhe e përbashkët”.

Sa i përket videos muzikore, tekstshkruesja dhe kompozitorja është shprehur se ideja ka qënë që në mënyrë sa më të thjeshtë të përshkruante atë ndjenjë të asaj dite me diell që ajo përjetoi në çati të banesës së saj. A ishte ky një realitet apo vetëm një ëndërr shprese?

Ky videoklip është punuar dhe realizuar brenda një ore me iPhone nga Stephane Lapointe që fillimisht kishte realizuar edhe videoklipin e parë të këngës “The ëild ëoman”. Sipas artistes, qëllimi ka qënë të shkonte me një qasje DIY (do-it-yourself), ku lëvizjet, kornizat, pamjet nga lartë dhe ngjyrat psikadelike japin një ndjenjë loje midis ëndrrës dhe realitetit dhe ashtu i japin shumë kuptim edhe këngës.