Me ngritjen e temperaturave, artistët e bëjnë akoma më të çmendur këtë verë duke publikuar projektet muzikore dhe duke luftuar për atë që do të quhet hiti i verës 2017.

Ndërkohë që javën e kaluar kishte 7 hyrje të reja në “The Top List”, kjo javë ka vijuar sërish me prurja të reja pasi 5 këngë i janë shtuar listës zyrtare të “Top Awards”.

“Lova” është projekti muzikor i cili ka korrur më shumë sukses sa i përket prurjeve të reja. Bashkëpunimi i Granit Dergurti, Xhensila Myrtezaj dhe Mixey ka rezultuar tepër i suksesshëm, ku falë votave të publikut, ai është pozicionuar në vendin e 30-të.

Një tjetër prurje e re është projekti muzikor më i ri Beatrix Ramosaj. Kjo është hera e parë që këngëtarja bëhet pjesë e klasifikimit të “The Top List”. Ky projekt, i titulluar “Pa ndjenjë” e ka risjellë këngëtaren në qendër të vëmendjes, duke e rikthyer sërish në muzikë pas një kohe mungesë. “Pa ndjenjë” për këtë javë qëndron në vendin e 32-të.

Sigurisht që kësaj vere nuk mund t’i mungonte një projekt me muzikë ritmike nga Soni Malaj. Këngëtarja ka vendosur të vijë paksa e çmendur në këtë projekt muzkor, për të cilin ka bashkëpunuar me Dj Aldon. Edhe pse kishte vetëm 4 ditë që ishte publikuar, “Loca” është bërë menjëherë pjesë e klasifikimit, duke zënë vendin e 43-të.

“Ne Shpirt” është një tjetër këngë që u publikua javën e kaluar. Flori Mumajesi bashkoi fuqitë me reperin Elinel për këtë këngë që mund te themi me bindje që u shndërrua në një nga këngët më të përfolura të javës për shkak të disa profileve false që rezultonin se nuk e pëlqenin këtë këngë. E gjendur mes kritikave dhe komplimenteve, kjo këngë për këtë javë është e pozicionaur në vendin e 46-të.

Blero është një tjetër artist i cili për herë të parë është bërë pjesë e “The Top List”, falë bashkëpunimit të tij me Franques dhe Alex. E titulluar “Asniher”, kjo këngë është pritur mirë nga publiku, i cili falë votave të tij, ka mundur ta bëjë këtë këngë pjesë të klasifikimit të 50 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare.