“Vetem asaj” mban titullin një nga hyrjet më të reja në klasifikimin e “The Top List” për këtë javë. Anxhelo Koçi, Ergys Shahu dhe Flor Bana, të cilët janë edhe miq shumë të ngushtë, kanë bashkuar fuqitë për projektin e radhës, i cili është pritur mjaft mirë nga publiku shqiptar.

E publikuar më 15 shkurt, kjo këngë ka mundur të bëhet pjesë e “The Top List” këtë javë, duke u renditur menjëherë në vendin e 24-t. Ndërkohë që për Anxhelon nuk është hera e parë që futet në klasifikimim, dyshja tjetër, Ergysi dhe Flori janë bërë pjesë e listës për herë të parë falë këtij projekti muzikor.

Të ftuar në programin “Ftese ne 5” treshja ka folur më shumë për këtë projekti muzikor, i cili ka marrë komente mjaft pozitive në rrjetet sociale.

Të pyetur nga moderatorja e programit, Bieta Sulo, se kujt i dedikohet kjo këngë, Anxhelo është përgjigjur: “I dedikohet të gjitha vajzave pasi të gjithë kanë një person zemre”.

Madje Anxhelo ka shtuar se kjo është edhe arsyeja përse ata nuk kanë marrë një figurante në videoklip pasi nuk dëshironin të kishin një përcaktim, kështu që në këtë mënyrë të gjitha femrat ndihen komode.

Sa i përket videoklipit, djemtë kanë treguar se xhirimet janë kryer brenda një dite të vetme dhe ata kanë zgjedhur të jenë spontan si edhe në jetën reale.

Për Anxhelon dhe Ergysin ky nuk është bashkëpunimi i tyre i parë pasi ata kanë një tjetër projekt së bashku “Te pershendes” ndërsa si treshe, ky është kënga e tyre e parë dhe duket se kanë goditur në shenjë. Ata kanë shpjeguar se ndër të tjera është muzika ajo që i bashkon më shumë me njëri-tjetrin, duke patur një kimi të fortë mes tyre.

Ergysi, i cili prej vitesh merret me muzikë, ka treguar se po punon për projektet e radhës, ku ndër to është një baladë, e cila pritet të publikohet së shpejti. Po ashtu edhe Anxhelo me Florin, i cili është DJ, po punojnë për këngët e radhës.