Kjo javë shënoi plot 168 javë “The Top List”, ku nga java në javë kemi patur publikime të reja muzikore, të cilat kanë lënë jashtë disa këngë më të vjetra por ka disa këngë që kanë mundur t’i rezitojnë çdo konkurrence.

“Lejla”, bashkëpunimi i Elvana Gjatës, Capital T dhe 2po2 është kënga që mban rekordin si kënga më e vjetër në listë, pasi këtë javë ajo mbushi plot 124 javë. E publikuar tetorin e vitit 2016-të, fansat vazhdojnë ende ta votojnë këtë këngë edhe pse këta tre artistë nuk janë ndalur së prodhuari muzikë të re. “Lejla” për këtë javë mban vendin e 67-të.

Ky rekord pasohet nga një tjetër këngë, e cila ka rezultuar tepër e suksesshme që në momentet e para të publikimit dhe bëhet fjalë për këngën “Anderr” të Kidës, e publikuar marsin e vitit 2017-të. Falë mbështetjes së madhe nga ana e fansave, kjo këngë ka 104 javë që gjendet në Top List dhe këtë javë pozicionohet në vendin e 37-të

Këngë e tretë që është pjesë e grupit të këngëve me më shumë se 100 javë në klasifikim është bashkëpunimi i Alban Skenderaj dhe Dalool, “1000 Premtime”. Kjo këngë, e cila ka plot 101 javë që është pjesë e klasifikimit, këtë javë renditet në vendin e 99-të. Krahasuar me javën e kaluar, kjo këngë ka humbur 19 pozicione, duke bërë kështu që ajo të jetë shumë pranë largimit por a do të jetë ajo në vazhdim, pjesë e “The Top List”? Kjo varet nga votat e fansave, nëse do ta lënë të shkojë apo jo këtë këngë javën e ardhshme.