Jemi në javën e 173-të të klasifikimit dhe nga java në javë, vëmë re që shumë projekte të reja i shtohen listës, sikurse ka ndodhur edhe këtë javë. 9 projekte të reja muzikore janë për pjesë e 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare, duke treguar se me ardhjen e pranverës edhe artistët janë karikuar me energji të reja.

Tre prej hyrjeve të reja janë të renditura më mirë në “The Top List” dhe bëhet fjalë për “Pa Dashuri” të Elvana Gjatës, “Bonbon” të Era Istrefit dhe “La la la” të Besës.

“Pa dashuri” është një nga këngët më të reja të Elvanës, e cila është kolona zanora e filmit “Dy Gisht Mjaltë”. Ndërkohë që filmi ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm në kinema, po ashtu edhe kolona zanore e tij është shpallur kënga më e pëlqyer e publikut shqiptar, duke zënë vendin e parë që në javën e parë të futjes në listë.

Mund t’ju duket e pabesueshme por “Bonbon” e Era Istrefit është rikthyer sërish në klasifikim pas tre javësh mungesë. Fansat kanë konfirmuar edhe njëherë që kjo këngë nuk ka dalë akoma nga moda dhe vështirë t’ju ndahet shpirti prej saj. Kjo këngë ka bërë një rikthim të fuqishëm, duke u renditur menjëherë në vendin e 7-të.

“La La La” e Besës është një tjetër hyrje e re që është renditur mjaft mirë në klasifikim. Ndërkohë që kanë kaluar 5 muaj nga projekti i saj më i fundit, Besa ka ardhur mjaft e freskët në këtë prurje muzikore, duke na sjellë stinën e verës pak më herët. Fansat e kanë mirëpritur këtë projekt muzikore të Besës dhe falë sugjerimeve të tyre, ajo është futur menjëherë në listë, duke u renditur në vendin e 19-të.