Në një mbrëmje plot artistë, kolegë të medias dhe partnerë të biznesit, “Top Music Awards” festoi mbrëmë shpalljen zyrtare të kandidaturave për çmimet e mëdha të 24 qershorit.

Ledri, Kida, Mozzik, Bruno, Gjiko, Alban Ramosaj e shumë këngëtarë të tjerë pritën mbrëmë me ankth dhe emocion publikimin e emrave që kandidojnë në 10 kategori të ndryshme muzikore.

Në ambientet e jashtme të Folie Terrace qëndronin të ekspozuara kupat me logon zyrtare të “Top Awards”, në pritje për të rënë në dorën e artistëve fitues.

Mbrëmja filloi me fjalën përshëndetëse të Ledion Liços, autor i eventit, i cili, pasi uroi mirëseardhjen, prezantoi dhe klipin me kandidaturat për këngëtarët.

Deri më 24 qershor, natën e ndarjes së çmimeve, të gjithë kanë mundësi të votojnë artistin e tyre të preferuar në katëgorinë përkatëse. Të gjitha informacionet më të fundit rreth eventit, artistëve në garë, si dhe procedurat e votimit gjenden në faqen zyrtare të "Top Awards": topawards.top-channel.tv.