Ai është një ndër artistët që dallohet për performancat e tij “live”, duke përçuar emocione të forta tek publiku. Bëhet fjalë për Alban Skënderaj, i cili ka vendosur që të bëjë një tjetër koncert recital në qytetin e Tiranës.

Të titulluar “Nën Yjet e Tiranës”, recitali i ardhshëm i kantautorit do të mbahet në Amfiteatrin e Tiranës, më 27 dhe 28 Shtator.

Nën Yjet e Tiranës” do të jetë një koncert sa romantik e reflektues, aq edhe energjik dhe shpërthyes“, shkruan në një postim të bërë në rrjetin social Instagram artisti.

Tirana dhe qielli i saj vërtetë ju perkasin të gjithëve tashme ndaj ky koncert do i dedikohet edhe këtij qyteti që gjithmonë ka ditur të jetë mikpritës e ti mbaj dyert hapur për çdo shqiptar që ka patur diçka për të dhënë“, shkruan ndër të tjera Albani.

Edhe pse ishte parashikuar vetëm një natë, pra data 27 shtator, interesi i lartë nga ana e publikut ka bërë që këngëtari i dashur i publikut shqiptar të organizojë një tjetër mbremje, duke caktuar 28 shtatorin.

Përmes një postimi të bërë në profilet e tij në rrjetet sociale, Albani ka shpjeguar se pas kërkesave të shumta, u vendos një natë e dytë e koncertit.

Unë sinqerisht çdo herë jam i mrekulluar dhe mirënjohës pafund“, shkruan këngëtari në postimin e tij.

Po të kthehemi pas në kohë, kujtojmë që Albani Skënderaj vendosi të ndante me publikun shqiptar një nga arritjet më të rëndësishme të karrierës së tij 15-vjeçare, duke organizuar një koncert, “Hapësira e një ëndrre”, i cili i kaloi përmasat e një koncerti klasik.

Pavarësisht se ishte planifikuar vetëm një mbrëmje, kërkesat e larta nga ana e publikut “detyruan” artistin të orgazonte dhe dy netë të tjera të recitalit të tij të parë, i cili u konsiderua si një nga koncertet më të suksesshme në vend, duke shitur çdo biletë të mundshme.

Më tej, ky koncert u zhvendos në Prishtinë, ku gjithashtu korri një super sukses, duke bërë realitet një ëndërr të Albanit.

Pas gjithë këtyre fakteve, mund të themi me bindje se Alban Skënderaj është artisti i vetëm me më shumë recitale të shitura në Shqipëri.