menu

“The Top List” rigjenerohet në 4 javët e fundit


Ora: 17:33 Datë: 23/10/2018

Edhe pse sezoni i verës ka përfunduar, pikërisht në periudhën kur artistët janë më aktivë, shumë këngëtarë kanë vazhduar punën e tyre, duke publikuar muzikë të re për fansat e tyre.

Futja në listë e këtyre projekteve muzikore ka bërë që të mbeten jashtë saj disa prej këngëve që për një kohë të gjatë qëndronin në klasifikimin e 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare.

Prurjet e vjeshtës janë pritur mjaft mirë nga publiku shqiptar, duke bërë që disa prej tyre të renditen në majat e klasifikimit. “Doruntina” e Tayna dhe “Lea” e Alban Skënderaj janë dy hyrjet që janë renditur më mirë, duke zënë vendin e parë. Një sukses të madh ka patur edhe prurja e re e Majk dhe Yll Limanit, “Krejt ti fala”, e cila për këtë javë renditet në kreun e “The Top List”.  West Side Family, këtë vjeshtë u rkthye me një projekt muzikor paksa të ndryshëm nga ato të mëparëshim por që u mirëprit nga fansat e grupit. Bloody është një artist që për herë të parë është futur në listë me projektin e tij “Nutella”, i cili është votuar pafund nga fansat.

Ndërsa kënga më vjetër që është larguar javët e fundit është “Lova”, bashkëpunimi i Granit Derguti & Mixey ft. Xhensila Myrtezaj, i cili për 66 javë ka qëndruar në listën zyrtare të Top Awards. “Stila” e Majk dhe “Karma” e Flori Mumajesi Ft. Bruno Ft. Dj Vicky and Klajdi, të cilat kanë qëndruar në listë për 62 javë rresht, kanë mbetur jashtë saj përkatësisht në javën e 148 dhe 147 të klasifikimit. Pavarësisht se këto tre këngë na kanë shoqëruar për një kohë të gjatë në renditje, ato nuk kanë mundur ta përballojnë konkurrencën me prurjet e reja të kësaj vjeshte.

Ledri Vula – 1 Janari ( 41 javë), Capital T ft. 2po2 – Ulu (48 javë), Capital T ft. Lyrical Son & Vig Poppa – Pa Cenzure (51 javë), Capital T ft. Mc. Kresha – Numra (42 javë) janë disa prej këngëve që kanë qëndruar më gjatë në “The Top List”, edhe pse 4 javët e fundit ato janë përballur me konkurrencën e fortë të projekteve të reja. Nëse këto këngë do të rikthehen sërish në klasifikim, kjo mbetet për t’u parë pasi koha ka treguar që fansat përmes votave të tyre kanë risjellë në qendër të vëmendjes këngë që prej shumë kohësh kishin dalë nga klasifikimi.