Një bashkëpunim surprizë është konsideruar ky i Tayna, Mc Kresha dhe Lyrical Son. Treshja e njohur dhe e dashur për publikun shqiptar kanë bashkuar fuqitë për një ndër këngët që është shndërruar menjëherë në hit.

“Pasite” mban titullin kjo prurje e re muzikore, e cila është shpallur kënga më e pëlqyer e javës, duke zënë vendin e parë edhe pse sapo është publikur.

Tayna, e cila së fundmi është tepër e ngarkuar për shkak të koncerteve të shumta, është shprehur se ndihet tepër e lumtur dhe krenare për këtë projekt muzikor. Përmes një postimi të bërë në rrjetet sociale, ajo ka treguar gjithashtu se vetë ajo ka nisur të këndojë koverin e njërës prej këngëve të Mc Kresha dhe Lyrical Son dhe tashmë ka ardhur kohë që ata të bashkëpunojnë.

“Gjithçka brenda një viti e gjysmë”, shkruan në postimin e saj Tayna, duke treguar edhe njëherë qartë se brenda një periudhe të shkurtër, ajo është shndërruar në një prej këngëtareve më të kërkuara të momentit.

Ndërkohë që “Pasite” mban vendin e parë, “Tela” e Kida dhe Ermal Fejzullahut është zhvendosur me dy pozicione nga java e kaluar, duke u pozicionuar në vendin e tretë.

“Hajt Hajt” e Butrint Imerit vazhdon të dëgjohet dhe votohet po me të njëjtin intensitet si edhe java e kaluar, duke qëndruar në vendin e dytë.

Këtë javë nuk kanë munguar hyrjet e reja dhe bëhet fjalë për 6 projekte që i janë shtuar listës këtë javë.