Të këndosh solo apo të bësh një bashkëpunim? Cila nga të dyja të jep më shumë sukses tek publiku? Nëse do i hedhim një sy se kush ka kryesuar më së shumti në “The Top List”, do të vërejmë se vera iu kushtua thuajse vetëm bashkëpunimeve.

Në fillim nga “Nina” e Brunos, Flori Mumajesit dhe Klajd Harunit tek “Dale” e Butrint Imerit, Kidës dhe Ledri Vulës, “E di” e Elvana Gjatës dhe Yll Limanit dhe “Llafe Llafe” nga Dafina Zeqiri dhe Lyrical Son. Nga ana tjetër dy javët e fundit, kreun e ka kryesuar Elhaida Dani me “Zanin”, një nga këngët e reja të albumint të saj të fundit.

E teksa është e vështirë që ta ndash përfundimisht se cila ka më shumë sukses, mbase dhe nuk mundemi. Fundja në klasifikimin e këngëve të “The Top List” mund të gjesh të ndërthurura si bashkëpunime, ashtu edhe projekte solo, dikush më lart e dikush më poshtë në pozicionim.

Por mbase pyetja e duhur nuk është ‘solo apo bashkëpunim’, mbase çdo gjë varet tek artisti. Artisti në vetëvete e bën një këngë të ketë sukses apo jo, nëse përçon tek publiku emocionet e duhura. Artisti është ai që një projekt të vetin arrin ta ngrejë në shkallët e suksesit, e po ashtu edhe bashkëpunimi ka anën e vet të medaljes, të gjesh një bashkëpunëtor me të cilin suksesi është i garantuar.