Soni Malaj, e cila numëron plot 22 vite karrierë, vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes dhe e preferuar nga publiku shqiptar, pavarësisht se konkurreca kohë e fundit është rritur në tregun muzikor. Një ndër të paktat këngëtare që këndon “live”, ky vit ka qënë tepër produktiv për artisten, e cila përveç projekteve të shumta që ka sjellë, ajo ka dhënë disa performanca të rëndësishme që sigurisht kanë lënë shenjë në karrierën e saj.

Viti ka nisur me një recital në muajin maj, në Amfiteatrin e Tiranës, i cili për hir të së vërtetës krijoi një zhurmë të madhe për shkak të profesionalizimit që Soni krijoi në përballje me fansat e saj, duke kurorëzuar me sukses vitet e saj të shumta në muzikë.

Artistja nuk u ndal me kaq, më tej ajo vijoi të ishte e pranishme jo vetëm në skenë por edhe intervista, duke treguar më shumë për jetën e saj profesionale dhe këtu përmendim intervistën e saj tek “E diell” në Top Channel.

Qershia mbi tortë e gjithë kësaj “ringjallje artistike” ishte pjesëmarrja e saj në një prej koncerteve më madhështore të organizuara në Tiranë dhe bëhet fjalë për koncertin e “Digitalb” në ditëlindjen e saj të 15-të. Performanca e saj elektrizoi publikun e pranishëm, duke dhuruar një atmosferë që do të mbetet gjatë në mendjen e publikut.

Pavarësisht se jemi në stinën e verës kur shumica e njerëzve zgjedhin të pushojnë, për Soni Malaj nuk ka pushime por finalizimi i projekteve muzikore, të cilat priten të publikohen së shpejti.

Në një intervistë të dhënë për “Top Awards”, Soni Malaj ka zbuluar më shumë për karrierën e saj muzikore dhe për planet që ka në të ardhmen.

Top Awards: Pavarësisht se keni qënë të pranishëm pranë publikut me projekte muzikore, ky vit mund të themi se është “një ringjallje muzikore”, sa e vërtetë është kjo?

Soni Malaj: Eshte e vërtetë që këtë vit kam sjellë më shumë materiale muzikore. Kjo sepse më kanë pëlqyer shumë këngë dhe kam arritur të përzgjedh ato që gjykuam edhe si më të përshtatshmet për mua dhe publikun.

Top Awards: Një koncert recital, performanca shpërthyese në “Digitalb” dhe shumë koncerte të tjera, çfarë po ndodh me Soni Malaj, bën pushime?

Soni Malaj: Nuk jam tip që më pëlqen pushimi edhe nëse nuk do jem duke u marrë me muzikë, gjithësesi jam duke punuar edhe për projekte të tjera, jashtë fushës së muzikës. Gjithësesi pushimin e shijoj shumë me familjen time, pasi kam realizuar më së miri edhe projektet e mia.

Top Awards: Si lindi ideja e bashkëpunimit me Agon Amiga dhe Daim Lala?

Soni Malaj: Ishte një ftesë që më erdhi nga Agoni Amiga, bashkëpuntor i vjetër i imi. Kemi shumë respekt për njëri-tjetrin dhe kemi ruajtur miqësinë ndër vite. Ishte një ftese që më bëri Agoni, e cila u përqafua edhe nga producenti i këngës Kico dhe shtëpia diskografike “Vizioni Libonia”. Jemi kënaqur vërtet shumë gjatë realizmit të këngës dhe videos. Bashkëpunimet janë gjithmonë shumë argëtuese.

Top Awards: Edhe pse keni publikuar dy projekte muzikore brenda një periudhe të shkurtër, keni premtuar se do dalin edhe tre projekte të tjera këtë verë, pse kjo zgjedhje? Mendon se janë shumë prurje të reja muzikore brenda një perudhe të shkurtër?

Soni Malaj: Po, në fakt e rimenduam edhe me bashkëpuntorët që do ishte e tepërt. Kështu që do mbeten në perspektive. Megjithëse produksioni muzikor ka mbaruar, mbetet vetëm ai video.

Top Awards: Projektet që parashikohet të publikohen do jenë bashkëpunime apo këngë “solo”?

Soni Malaj: Do jem përsëri me bashkëpunime mjaft interesante.

Top Awards: Përveçse jeni një ndër këngëtaret e rralla që këndon “live”, si ia dilni të kërceni aq mirë në të njëjtën kohë?

Soni Malaj: Falë një trajnimi shumë të mirë fizik,vokal dhe ushqimor që bëj gjatë gjithë vitit. Unë kam një pasion shumë të madh për artin dhe nuk lodhem asnjëherë së punuari.

Top Awards: A mund të quhet ky vit më i suksesshmi derimë tani në karrierën tënde muzikore?

Soni Malaj: Jo, nuk mund ta përkufizoj të tillë por më bëhet qejfi që e mendoni ashtu.