Padyshim që fusha e artit dhe veçanërisht industria e muzikës ka qenë ajo që është prekur më shumë nga pandemia COVID-19. Mund të thuhet se viti i kaluar ka lënë pasoja që ende nuk janë rikuperuar plotësisht, sidomos në klubet e natës që është dashur të mbijetojnë me shumë mundim. Sigurisht që ka pasur dhe nga ato që kanë shpallur falimentim.

Por duket se këtë vit ka pasur një pikë kthese. Klubet e natës në përpjekje për të rikuperuar humbjet e vitit të kaluar, kanë bërë investime dhe plane të reja fitimi. Të shumtë kanë qenë ata pronarë klubesh që në mënyrë që të tërhiqnin sa më shumë klientë, janë detyruar të paguajnë artistë me shuma deri diku stratosferike. Ata madje kanë deklaruar dhe cilët janë ata këngëtarë që janë më të pëlqyerit nga publiku dhe si pasojë edhe më të paguarit.

Ledri Vula mbetet një nga më të preferuarit. Pas tij vijnë Capital T, Dhurata Dora dhe Butrint Imeri. Pagesat shkojnë nga 6000 euro për një koncert, deri në 300,000 euro gjatë sezonit të verës. Këta mbeten të preferuarit e publikut dhe si pasojë edhe të klubeve të natës.

Po me Dj si është situata? A janë ata po aq të preferuar sa këngëtarët që mbajnë koncerte?

Nëse këngëtarët mund të mbledhin shumë publik sa herë që organizohen koncerte në klube nate, me Dj është pak më ndryshe. Në fakt, ata organizojnë atmosferë çdo herë. Mund të mos jenë aq të preferuar, apo më mirë le të themi merren më për të mirëqenë, por në fakt suksesi është i garantuar thuajse çdo natë dhe pagesat nuk janë aq të larta, që do të thotë fitimi për klubet e natës është pak më i lartë.

A ka ndihmuar lirimi i masave?

Lirimi i masave ka ndihmuar në “frymëmarrjen pak më lehtë”. Që do të thotë ka qenë me ulje-ngritjet e veta. Masat e qeverisë erdhën duke u liruar, por jo plotësisht, pasi orari i kufizimeve ka luajtur rolin kyç. Por ka pasur shumë festa private të organizuara në mënyrë “sekrete” dhe në mënyrë specifike te ajo shtresë pak më e lartë. Këtu të zakonshme kanë qenë festat e ditëlindjeve. Ndërkohë lokalet bregdetare dhe sidomos ato në bregdetin e jugut kanë pasur të ardhura marramendëse. I preferuar mbetet muaji i gushtit për klientët.

Por nëse këtu në Shqipëri situata duket e mirë, po rëndohet në Kosovë. Klubet e natës duket se do të përballen me një tjetër moment të vështirë pas shtrëngimit të masave kufizuese. Në vendimet e fundit nga qeveria, këto do të qëndrojnë të mbyllura deri më datë 1 Shtator. Kjo do të rezultojë në humbje të mëdha, pasi siç dihet vera është sezoni më fitimprurës për klubet e natës.