Jemi në javën e 140-të të klasifikimit të “The Top List” dhe ndërkohë që nga java në javë kemi hyrje të reja, ka shumë këngë që vazhdojnë të jenë pjesë e listës, të cilat kanë më shumë se një vit që janë publikuar.

Projekti muzikor që mban kreun e klubit të këngëve që kanë më shumë se një vit në klasifikim është bashkëpunimi i Elvana Gjatës, Capital T dhe 2po2, “Lejla”. Kjo këngë, e publikuar tetorin e vitit 2016, vazhdon të jetë në “The Top List” prej 96 javësh, duke treguar kështu që fansat ende vazhdojnë ta shijojnë këtë projekt muzikor.

Majk është gjithashtu pjesë e këtij klubi me këngën e tij “Kcen”, e cila ka dalë në treg në shtatorin e vitit 2016-të. Kjo këngë, e cila në atë kohë u shndërrua në këngën më të dëgjuar nëpër klubet e natës, ndodhet në listë prej 90 javësh, ku për këtë javë pozicionhet në vendin e 76-të. Pavarësisht se “Kcen” është kënga që ka qëndruar më gjatë, Majk është në këtë klub edhe me tre projekte të tjera muzikore. “Le t’xhelozojn”, “Stila”, “Katile” gjenden në listë përkatësisht prej 69, 55 dhe 51 javësh.

Këtij klubi nuk mund t’i mungonte Kida, këngët e së cilës vazhdojnë të dëgjohen pafund nga fansat e saj, të cilët nuk rreshtin së mbështeturi vazhdimisht artisten. “Anderr” është kënga që vazhdon të qëndrojë më gjatë në klasifikim, prej 76 javësh. Bashkëpunimi i saj me Hcue, “Don’t Say No More”, publikuar qershorin e vitit të kaluar vazhdon të votohet nga fansat prej 61 javësh ndërsa “Pe du” është pjesë e 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare prej 53 javësh.

I publikuar marsin e vitit të kaluar, “1000 Premtime”, bashkëpunimi i Alban Skënderaj dhe DJ Dalool, u shndërrua në një ndër hitet e asaj vere por duket se fansat nuk e kanë harruar as këtë sezon veror. Ky projekt muzikor, i cili për për këtë javë renditet në vendin e 72-të, është pjesë e listës zyrtare të “Top Awards” prej 73 javësh.

Edhe pse ka kënaqur vazhdimisht publikun më këngë të reja, fansat e Ledrit vazhdojnë t’i qëndrojnë besnikë këngës “U harrum”, e publikuar majin e vitit të kaluar. Kjo këngë tepër ritmike gjendet në “The Top List” perj 66 javësh, duke u bërë pjesë e klubit të këngëve që kanë më shumë se një vit në klasifikim. Pavarësisht se ka shumë kohë në klasifikimin, kjo këngë vazhdon të renditet mjaft mirë në listë, ekzaktësisht në vendin e 28-të. Ledri ndodhet pjesë e këtij klubi edhe me bashkëpunimin me Butën, “Mbi Re”. Kjo këngë, e cila për këtë javë është ngjitur me 12 pozicione, ka 55 javë që është pjesë e listës.

Capital T është një tjetër artist, i cili ndodhet në klubin e këngëve më shumë se një vit në klasifikim. Përveç “Lejla”, Kapoja ka 57 javë që gjendet në listë me “Hatixhe” dhe 59 javë me “Pse po ma lun lojen” ndërsa bashkëpunimi i tij me Ardian Bujupin, “Andiamo” qëndron në listë për plot 55 javë. Këto dy projekte muzikore të artistit vazhdojnë të dëgjohen dhe votohen çdo javë nga fansat, duke u pozicionuar mjaft mirë në listë.

Granit Derguti, Mixey dhe Xhensila Myrtezaj bashkuan fuqitë, duke sjellë një prej hiteve të verës së kaluar. “Lova” titullohet ky projekt, i cili ka 60 javë që ka mundur t’i mbijetojë konkurrencës së “ashpër” të “The Top List”. Për këtë javë kjo këngë pozicionohet në vendin e 60-të.

“Gabime”, bashkëpunimi i Gjikos dhe Nora Istrefit është një tjetër projekt që ka më shumë se një vit në klasifikimin e “Top Awards”. E publikuar korrikun e vitit të kaluar, kjo këngë ka plot 56 javë që është pjesë e klasifikimit të 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare, ku për këtë javë renditet në vendin e 65-të.

Katërshja e talentuar, Flori Mumajesi, Klajdi Haruni, Bruno dhe Dj Vicky bashkëpunuan për një prej këngëve më të dëgjuara të verës së kaluar, një këngë e cila vazhdon të mos mposhtet nga prurjet e kësaj vere. E ardhur në gjuhën spanjolle, kjo këngë tërhoqi menjëherë vëmendjen e publikut në atë kohë, madje duke zënë edhe kreun e “The Top List”. Fansat ende vazhdojnë të dëgjojnë dhe votojnë këtë projekt muzikor, i cili ka 56 javë në listë.

Gushtin e vitit të kaluar, Stresi surprizoi të gjithë fansat e tij, duke sjellë projektin muzikor “Me fal 2”, një bashkëpunim me Anxhelo Kocin, i cili është një dedikim special për të dashurën e tij. Ky projekt muzikor mjaft i ndjerë dhe me shumë emocion gjendet në “The Top List” prej 53 javësh, duke lënë të nënkuptohet se fansat ende shijojnë këtë këngë personale të reperit të tyre të preferuar.