Shpat Deda është rikthyer në tregun muzikor dhe duket se më fuqishëm se kurrë.

Këngëtari ka qënë një ndër të ftuarit special të “E Diell” në Top Channel, ku ka folur për projektin e tij të ri muzikor si edhe për filmin “Home”, një prodhim mes Britanisë së Madhe dhe Kosovës, ku Deda është në rolin e producentit.

Ndërkohë që “Home” triumfoi në çmimet “BAFTA”, duke marrë çmimin për filmin më të mirë të shkurtër britanik, edhe projekti më i ri muzikor i artistit ka ecur suksesshëm këtë javë në klasifikimin e “The Top List”

“Ninullë”, një dedikim i ëmbël për gjyshen e këngëtarit, këtë javë ka mundur të ngjitet me 29 pozicione, duke u renditur në vendin e 16.

Në intervistën e dhënë, këngëtari është shprehur se ndërkohë që gjyshja, e cila nuk jeton më, i ka kënduar atij ninulla, tashmë është vetë artisti që i ka kënduar gjyshes një ninullë speciale.

Falë votave të publikut, “Ninullë”, është kënga që është ngjitur më me shumë pozicione për këtë javë në “The Top List”.