Debutimi i saj muzikor ka qënë rreth dy vite më parë, ekzaktësisht në qershor të vitit 2018-të, me këngën “Columbiana” dhe po flasim pikërisht për Tayna-n.

Ky debutim rezultoi mjaft i suksesshëm për një ndër këngëtaret e pakëta që bënte muzikë hip-hop. Brenda një periudhe të shkurtër kohore, Tayna arriti të merrte vëmendjen e publikut dhe të shndërrohej në një ndër këngëtaret më të komentuara të momentit në atë kohë.

Ndërkohë që vijoi të sillte projekte të njëpasnjëshme në treg, duke qënë mjaft aktive, kohët e fundit duket sikur suksesi i reperes nuk është më ai i mëparëshmi.

Kujtojmë që një ndër projektet e saj më të fundit “A jo” nuk ka mundur të marrë sugjerimet e mjaftushme për t’u bërë pjesë e klasifikimit të “Top Awards” ndërsa “Bass” ka bërë një debutim jo aq të mirë në listë këtë javë dhe kjo për shkak të kritikave të mëdha që teksti ka marrë. Sipas komentuesve, ky është një ndër lirikat më të dobëta të reperes për shkak të gjuhës vulgare.

Rreth një muaj më parë, këngëtarja bëri publik lajmin se pas bisedave intensive, kishte rënë dakord që të firmoste kontratën me “Sony Music” me bazë në Gjermani, për të cilën shprehej mjaft e lumtur.

Por a është e vërtetë që shtëpitë e mëdha diskografike lënë pas dore karrierën e artisteve shqiptare?

“Sony Music” ka treguar një interes të madh për muzikën shqiptare dhe disa artiste kanë arritur të firmosin kontratë me këtë shtëpi diskografike por suksesi i tyre nuk ka vijuar të jetë i njëjtë.

Era Istrefi, Dafina Zeqiri, Elvana Gjata, Enca janë disa prej këngëtareve që kanë firmsor kontratë me shtëpi të famshme ndërkombëtare por për hir të së vërtetës karriera e tyre ndërkombëtare nuk ka arritur në nivelet e dëshiruara.

Si Dafina, Elvana dhe së fundmi Era Istrefi i janë rikthyer tregut muzikor shqiptar me projektet tyre, duke gjetur një përkrahje nga fansat besnikë të tyre ndërsa nga Enca ende nuk kemi parë ndonjë projekt që mban firmën e shtëpisë diskografike “Sony Music”.

“Guri i rëndë në vend të vet” thotë shprehja dhe rastet e mësipërme e vërtetojnë më së mirë këtë.

A do të jetë ky fati i Tayna-s?