Dyshja e njohur e Shaolin Gang, është tepër aktive në tregun muzikor shqiptar, duke prodhuar sa më shumë muzikë për fansat e tyre. “Vice City” titullohet prurja më e re e Blunt dhe Real, e cila i referohet lojës së famshme elektronike për adoleshentë.

Edhe pse shumë prej këngëve të tyre kanë qënë pjesë e klasifikimit, një pjesë e tyre nuk kanë mundur t’i rezistojnë konkurrencës për një kohë të gjatë. Për shkak se dyshja prodhon shumë muzikë brenda një periudhe të shkurtër, duket se fansat janë gjithmonë në pritje për diçka të re nga dy djemtë e talentuar.

Shpesh herë Shaolin Gang është kritikuar për videot muzikore, për shkak të femrave të zhveshura që shfaqen në to por duket se videoklipi  i “Vice City” ka ardhur krejtësisht ndryshe nga projektet e mëparëshme. Blunt dhe Real nuk kanë patur nevojë për shumë detaje shtesë për klipin por i kanë dhënë më shumë rëndësi muzikës, duke ardhur tepër origjinal, vetëm ata të dy.

Falë sugjerimeve të mjaftueshme nga ana e publikut, “Vice City” është renditur në vendin e 74-t. Nëse kjo këngë do mund t’i rezistojë klasifikimit varet nga votat e fansave të dyshes, mbështetja e të cilëve nuk do lejojë që kjo këngë të largohet shumë shpejt nga lista sikurse këngët e fundit.