“Qyteti i vjeter” një këngë që daton shumë vite më parë por që është sjellë në një version mjaft interesant dhe modern nga SAIX. Kjo këngë ka marrë menjëherë vëmendjen e publikut shqiptar edhe është sugjeruar dhe votuar pafund që të jetë pjesë e “The Top List”, madje duke u pozicionuar mjaft mirë, ekzaktësisht në vendin e 11-të.

Po kush është Saix?

Saix është Dj dhe producent muzikor, i lindur në Gjirokastër dhe me bazë në Tirane. Saix punon gjithashtu si audio producer në Top Albania Radio si edhe është autor i programit “Top Albania Classics” që transmetohet çdo të shtunë në orën 19:00 në Top Albania Radio.

I kontaktuar nga “Top Awards”, DJ dhe njëhkohësisht producenti muzikor ka zbuluar arsyen se pse vendosi të risillte “Qyteti i vjeter” të Elton Dedës si edhe planet që ka për të ardhmen.

TA: A është ky projekti i parë për ju? Nëse po, pse vendosët të debutoheni me një “remake” dhe jo me një prurje të re muzikore?

SAIX: Në fakt nuk është projekti im i parë, kam publikuar edhe projekte të tjera në bashkëpunim me labela të ndryshëm të muzikës “house”, të cilat janë më “underground”.

Ky projekt është një ndër ato “remixe” të cilat i kam realizuar kohët e fundit dhe që ka nuanca pak më komerciale.

TA: Si lindi si ide të bënit një “remake” dhe pse zgjodhët pikërisht “Qytet i vjeter” të Elton Dedës?

SAIX: E hasa duke dëgjuar muzikë të vjetër shqiptare në lidhje me një projekt tjetër në radio. Melodia e saj nuk po më ikte nga mendja gjithë ditën dhe mendova ta risjell.

TA: Çdo të thotë për ty të jesh pjesë e klasifikimit të “Top Awards”?

SAIX: Të jesh pjesë e “Top Awards” është një kënaqësi e veçantë dhe shumë e rëndësishme, për vetë faktin sepse të jep mundësinë që muzikën tënde ta dëgjojnë më shumë dëgjues, të cilët pse jo më vonë mund të kthehen edhe në mbështetës të projekteve muzikore të ardhshme. Prandaj dua të falenderoj “Top Awards” për këtë mundësi!

TA: Ke ndërmend të bësh ndonjë bashkëpunim me ndonjë artistë të njohur?

SAIX: Për momentin po përpiqem të prodhoj sa më tepër muzikë që mundem, mes gjithë angazhimeve të tjera. Fokusi im është tek perfeksionimi i soundit dhe sigurisht nuk e përjashtoj mundësinë e ndonjë bashkëpunimi. I njohur ose jo, rëndësi ka që muzika të jetë e mirë!