Derimë tani në tregun muzikor shqiptar kanë mbizotëruar repistët meshkuaj por së fundmi ai është pushtuar nga repistet femra. Kjo javë në “The Top List” numëron më shumë repiste se kurrë më parë në listë.

Duket se këto këngëtare kanë preferuar të ndjekin pikërisht muzikën “hip hop”, e cila është më e pëlqyera për momentin në Shqipëri. Nëse do të kthehemi pas në kohë, kemi patur disa repiste femra , të cilat me kalimin e kohës, fama e tyre u zbeh.

Ishte pikërisht Fifi, ajo që e risolli në qendër të vëmendjes këtë rrymë muzikore për femrat, një zhaner muzikor, i cili sa vjen dhe po dëgjohet më shumë. Ndërkohë që Fifi lundron në shumë rryma muzikore, këngëtare të tjera kanë vijuar këtë rrymë.

Pas Fifit, ishte pikërisht Rina, një tjetër këngëtare, e cila e gjeti veten më mirë tek muzika “Hip Hop”. E vetëquajtur “mami” i kësaj muzike, Rina në fakt u shndërrua brenda pak kohësh në personin më të komentuar dhe të pëlqyer të momentit për shkak të stilit të veçantë që ajo solli. Rina është pjesë e “The Top List” momentalisht me 5 projekte muzikore.

Tayna pushtoi menjëherë klasifikimet muzikore dhe klubet e natës me muzikën e saj, duke u shndërruar në fenomenin e këtij vitit. Edhe pse mendohet se mes Tayna dhe Rinës ekziston një “luftë” e heshtur, secila prej tyre ka vijuar të ecë suksesshëm në tregun muzikor shqiptar. Tayna gjendet në klasifikimin e 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare me 6 projekte muzikore në total.

Edhe pse këndon në gjuhën gjermane, Loredana është një repere e cila pëlqehet shumë nga publiku shqiptar. Partnerja e Mozzik, e cila së fundmi është bërë nëna e një vajze, u shndërrua në fenomenin e rrjetit social që në momentin e debutimit të saj me këngën “Sonnenbrille”, e cila për këtë javë pozicionohet në vendin e 53-të.

Ajo quhet Lamar Al Koismi dhe është me origjinë nga Maroku. Edhe pse mund t’ju duket paksa e çuditshme, kjo këngëtare ka zgjedhur pikërisht tregun shqiptar për të zhvilluar karrierën e saj muzikore, duke kënduar “hip hop”. Ajo ka bërë deburimin e saj në tregun muzikore shqiptar me një bashkëpunim me Fifin, “Habibi”. E kontaktuar nga “Top Awards” se pse ka zgjedhur pikërisht tregun shqiptar, Lamar është përgjigjur: “Kam zgjedhur Shqipërinë pasi më pëlqen drama që njerëzit krijojnë dhe më pëlqen mënyra se si ata të bëjnë për të qeshur”.

Melinda dhe Helly Luv janë dy hyrjet më të reja në klasifikim, të cilat i përkasin muzikës “Hip Hop”. Dy reperet janë renditur mjaft mirë që në javën e parë që kanë hyrë në listë, duke vërtetuar edhe njëherë që muzika “hip hop” është më e pëlqyera momentalisht në vend.