Në fillim të muajit tetor, ajo ka publikuar projekin më të ri muzikor i titulluar “Fire”. Edhe pse është cilësuar si një rikthim i bujshëm për Flaka Krelanin, në një intervistë të dhënë për “Top Awards”, artistja ka shpjeguar se nuk është shkëputur asnjëherë nga muzika pavarësisht përkushtimit të saj ndaj studimeve.

Që në javën e parë të publikimit, “Fire” është pozicionuar mjaft mirë në “The Top List”, duke u renditur në vendin e 7-të. Ky fakt bën që padiskutim ky projekt muzikor ta ketë rikthyer fuqishëm këngëtaren e talentur në tregun muzikor shqiptar.

E kontaktuar nga “Top Awards”, Flaka ka folur më tepër rreth projektit të suksesshëm muzikor, i cili e ka sjellë artisten më në formë se kurrë.

-Flaka pas sa kohësh i jeni kthyer muzikës? Pse kjo shkëputje?

Faktikisht nuk është që jam shkëputur ndonjëherë nga muzika… Thjesht për disa vite kam studiuar dhe magjistruar për Ekonomi/Marketing/Menaxhim, ndërkohë që njëkohësisht kam punuar për projekte, të cilat kanë filluar të publikohen që prej vitit 2014, me këngën ‘ Zjam ‘, pastaj ‘ A ka kuptim ‘ ‘Am I Good Man’, ‘ Relax ‘ dhe kjo e fundit “Fire”. Kam qënë mjaft aktive mirëpo sinqerisht nuk e di pse është krijuar një përshtypje e tipit “shkëputje”, ndoshta ngaqë këngët dhe videoklipet e mia nuk punohen dhe realizohen në stilin “trendy “… Gjithsesi, për të gjithë ata që më ndjekin, i falenderoj që asnjëherë nuk kanë pushuar së më përkrahuri.

-“Fire” pse ky titull? Ka lidhje me Flaka Krelanin?
“Fire” është fiks titull dhe tekst i realizuar posaçërisht për tipin Flakë në skenë, këndim, stil, muzikë dhe art në përgjithësi. Paraqet komplet karakterin tim gjatë rrugëtimit në rrugët e botës së muzikës që nga fillimi deri më tani, se si i shoh rrjedhimisht gjërat nga pikëpamja ime si këngëtare.
Teksti është realizuar nga Alvin Karaqi dhe muzika nga XhimiOnDeBeat / J2L Records.

-Sa këngë përmban albumi i titulluar “Xperimental”? Sa këngë keni publikuar deri tani?
Albumi “Xperimental”, përfshin 16 këngë. 5 nga të cilat janë të realizuara me videoklipe si: “Zjam”, “Am I Good Man”, “A ka kuptim”, “Relax” dhe “Fire”.
“Xperimental Album” është produksion nga “J2L Records”, këngë të realizuara nga “XhimiOnDeBeat” së bashku me tekstet, përveç “Fire” e cila mban tekstin e Alvin Karaqi dhe Melody-t e këngëve nga unë.

-Duke qënë se albumi ka dalë në platforma si Shazam dhe Amazone, keni vënë re një interes më të madh nga publiku?
Eshtë e papërshkrueshme se si këto platforma të lidhin direkt me botën, me njerëzit kudo, lidhje e drejtpërdrejtë me dëgjuesit dhe nga kjo anë mund ta bësh një lloj statistike duke analizuar të gjitha këngët që kanë ecur më shumë, cilat me pak, cilat ndoshta nuk janë pëlqyer fare sepse shijet janë relative. Nga kjo anë , zhvillon dorën e krijimeve më shumë po ashtu dhe mendjen.

-Që në javën e parë të publikimit jeni bërë pjesë e “The Top List”, e prisnit këtë reagim pozitiv nga publiku?
Jam jashtëzakonisht shumë falenderuese ndaj publikut për dashurinë e përkrahjen e pashtershme. Ju dua shumë.

– Një mesazh për fansat që të kanë votuar….
Ju premtoj që atë që e bëj, e bëj vetëm për ju sepse ju jeni ata që më inspironi që të sjell çdo herë e më shumë këngë me shumë kuptim dhe këngë të cilat ju e gjeni veten në to. Shpresoj që kurrë nuk do t’ju zhgënjej… One Love F. ❤