menu

Riciklimi i këngëve popullore!


Ora: 20:54 Datë: 02/06/2018

Eshtë shndërruar në një trend së fundmi përpunimi i këngëve popullure, duke i sjellë ato në një version modern.

Shumë artistë shqiptarë, kryesisht ata të muzikës “hip-hop” kanë përzgjedhur disa këngë të vjetra popullore, gjithashtu të suksesshme, duke i përpunuar ato dhe duke i miksuar me stilin e tyre muzikor.

“Hatixhe”, bashkëpunimi i Mixey dhe Capital T, i cili ka 45 javë në klasifikimin e “The Top List” është një riciklim i këngës popullore ” Moj Hatixhe, N’Shami T’Kuqe”, kënduar në vitin 1971 nga Hamide Sadiku. Ky projekt muzikor, që në momentin e parë të publikimit, ka tërhequr vëmendjen e publikut dhe vazhdon ende të votohet në “The Top List”, ku për këtë javë mban vendin e 28-të.

Gent Fatali është një tjetër reper, i cili përzgjodhi këngën e kënduar nga Shkelzen Jetishi, “Jam de me raki”, për ta përpunuar. E publikuar gushtin e vitit të kaluar, reperi rezultoi tepër i pëlqyer më këtë version të titulluar “Rakia”, një këngë e cila ka qënë gjithashtu pjesë e klasifikimit të 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare.

Dyshja e talentuar, Hit-Man dhe Rolla, të cilët janë gjithashtu vëllezër, kanë vetëm pak ditë që kanë publikuar projektin më të ri muzikor “Oj Moll e Kuqe”, një ripërpunim i këngës me të njejtën titull, kënduar nga ikona e muzikës popullore mirditore, Fran Vorfi, në vitin 1973. Kjo këngë gjithashtu është pëlqyer menjëherë nga publiku, duke u futur në “The Top List” që në javën e parë të publikimit.

Fifi ka bërë një “remake” të këngës popullore “Oj Lulija Jonë” kënduar fillimisht nga Nexhmija Pagarusha. Të titulluar “Limonat”, kjo version modern i Fifit është mjaft ritmik dhe ka qënë gjithashtu në “The Top List” për disa javë rresht.

Trimi Jetullahu, një ndër artistët më të rinj në muzikë, ka sjellë versionin modern të këngës tradicionale “Lule Blini”, versioni origjinal i së cilës është kënduar nga Fatmira Breçani, me titullin “Moj lulja blinit”.

Adrian Gaxha bashkoi fuqitë me Onat për të sjellë versionin modern të këngës së vjetër popullore “Lujmi Lujmi durt e holla”. Dyshja e talentuar është frymëzuar nga kjo këngë popullore, duke sjellë këngën me titull “Lujmi Krejt”, e cila ka dalë në treg prillin e këtij viti.

Riciklimi i këngëve popullore, përveçse pëlqehet shumë nga publiku shqiptar, është gjithashtu një formë për të ruajtur vlerat artistike, duke i kujtuar ato në mënyrë që muzika jonë tradicionale të mos zhduket por t’ju transmetohet brezave të rinj.