Redon Makashi është një artist që nuk bën kompromise në muzikë për të fituar para. Ai vazhdon t’i mbetet stoik stilit të tij, duke sjellë këngë të reja, të cilat rrëmbejnë vëmendjen e publikut.

Ai është autori i disa hiteve muzikore, të cilat edhe pse janë krijuar shumë kohë më parë, ende vijojnë të dëgjohet dhe të këndohet nga publiku shqiptar, duke i rezistuar kohës.  Makashi madje ka zbuluar për “Top Awards” se ka menduar t’i risjellë disa prej këngëve të tij të famshme me një orkestër simfonike, në një skenë madhështore, por të përpunuara për t’ju përshtatur më shumë kohës.

Unë bëj konkurrencë me veten time” është shprehur artisti në një intervistë të dhënë për “Top Awards”. “Dëshiroj që gjithmonë të kompozoj diçka më të bukur se këngët e mëparshme. Unë e vendos veten në vendin e publikut dhe shoh çfarë impakti jep ajo dhe kështu bëj përzgjedhjen e asaj çfarë do publikoj”, tregon më tej artisti.

Më mohove” është publikimi më i ri i artistit, që e ka rikthyer menjëherë në qendër të vëmendjes dhe madje duke e futur për herë të parë në “Te Top List”.

Ndërkohë që po punon fort për të sjellë albumin e tij të ri, Redon Makashi paralelisht po punon me Aleksandër Gjokën dhe Elton Dedën, të njohur ndryshe si 3 Musketjerët, për të sjellë një album me 12 këngë, ku secili prej tyre do të ketë nga katër kompozime.

Artisti ka zbuluar më shumë detaje për këngën e re, e cila pozicionohet në vendin e 23-të, si edhe planet për të ardhmen.

Top Awards: “Me mohove”, na zbuloni më shumë për këtë projekt muzikor. Sa kohë ju është dashur të punoni për të? Me cilët keni bashkëpunuar?

Redon Makashi: Kjo këngë në fakt ka nisur pak ditë para se të binte tërmeti i tmerrshëm në Shqipëri, nëntorin e vitit të kaluar. Ndërkohë që po bëhesha gati të punoja për të, ndodhi pandemia dhe kështu çdo gjë u ndërpre. Rreth një viti më vonë nisëm incizimin dhe më pas po mendoja të realizoja një klip, për të cilin zgjodha “Provideo”. Xhirimet kemi arritur t’i realizojmë në një kohë rekord, për dy ditë rresht dhe kështu erdhi finalizimi i projektit.

Sa i përket bashkëpunimeve për këtë këngë, kam zgjedhur më të mirët sigurisht. Arjan Gjici në kitarë, Eugen Bejleri në bateri, Arbër Koçllari në tastjerë dhe Hektor Duri në kitarë dhe bas.

Dëshiroj të theksoj se çdo gjë është bazuar në instrumente “live” pasi kjo të jep më shumë energji dhe secili prej tyre shpreh temperamentin e tij.

Top Awards: A mund të na tregoni në vija të përgjithëshme për çfarë flet kënga?

Redon Makashi: Fillimisht dua të tregoj diçka tepër interesante sa i përket tekstit të kësaj kënge. Ndodhesha në Maqedoni, ishte natën vonë dhe tek po ecja po mendoja tekstin. Nuk kisha letër dhe stilolaps me vete dhe kështu vendosa ta shkruaja në mur me një gur, kështu që të nesërmen u kthehve dhe e hodha në letër.

Sa i përket fabulës të këngës flet për një dashuri të përfunduar. Nëse do të vini re, edhe klipi është ndërtuar në formën e një mini filmi. Shalli i zi që shfaqet kudo është një ndër detajet më të rëndësishme të videos, pasi ai bëhet shkak që dy ish të dashuruar të ritakohen, madje njëherë menduam ta titullonim “Shalli”. Teksa djali e ndjek t’i japë shallin, zbulon që vajza punonte në një “strip club” dhe kupton se sa shpejt ajo e mohoi. Pavarësisht se ritakohen, tashmë mes tyre janë thjesht kujtimet.

Top Awards: Një vit i vështirë për të prodhuar muzikë të re, mendoni se duhet të kishit pritur për këtë prodhim muzikor ta publikonit në një kohë më të qetë?

Redon Makashi: Pandemia bëri që publiku të lidhej fort mbas ekranit dhe muzika ishte një ndër të paktat gjëra që sillte qetësinë në shpirt dhë unë mendova të isha një ndër ata artistë që i gjendej sa më pranë publikut. Unë muzikën e bëj për pasion dhe ndihem shumë mirë kur publikur pëlqen atë çfarë unë bëj. Nuk më pëlqen të bëj kompromise për të fituar para. Unë jam i sigurt për diçka, këngët e mia, edhe nëse nuk marrin shumë vëmendje në momentin që publikohen, ato lënë shenjë më vonë dhe dëgjohen.

Top Awards: Përflitet se po punoni për një album të ri muzikor, a mund të na zbuloni diçka më shumë për të?

Redon Makashi: Po, është e vërtetë por e kam menduar paksa ndryshe. Si fillim do publikoj këngët “solo”, të gjitha të shoqëruar me klipe dhe më pas do i përmbledh në një album. Kohët kanë ndryshuar, dëshiroj që publiku t’i njohë gjithë këngët e mia dhe pastaj mund t’i dëgjojë në një album.

Top Awards: Për herë të parë gjendeni në një klasifikim muzikor, çdo të thotë kjo për ju?

Redon Makashi: Në vitet 90′, ekzistonte një hit parade, i cili kishte në total katër këngë, dy prej të cilave ishin këngët e mia dhe renditeshin në vendin e parë dhe të dytë. Kështu që është hera e parë pas 20 vitesh që unë bëhem sërish pjesë e një renditjeje muzikore, duke më bërë paksa nostalgjik dhe ajo çfarë më surprizon më shumë është pozicionimi mjaft i mirë, në vendin e 23-të.

Top Awards: Një mesazh për të gjithë ata që kanë mbështetur muzikën tënde ndër vite…

Redon Makashi: Fillimisht dua të shpreh faktin se jam surprizuar pafund që kënga ime ka tërhequr kaq shumë vemendje dhe klikime në kanalin e “Youtube”, për të cilat dua të theksoj që nuk janë blerë. Unë ndihem shumë mirë kur puna ime e madhe shpërblehet në këtë mënyrë pasi më pëlqen shumë të punoj për të gjitha detajet dhe ta kuroj siç duhet. Për të gjitha ata që mbështesin muzikën time, dua t’ju them të qëndrojnë stoik, pasi nuk do i zhgënjej me prurje e reja muzikore, të cilat do pasojnë këngën “Më mohove”.