“Top Awards” sigurohet që çdo javë të përzgjedhë këngë të reja të sapo publikuara që do mbajnë titullin si 100 këngët më të mira shqiptare që transmetohen te publiku. Sigurisht që këngët e reja të lançuara janë të shumta, por nëse keni vënë re, hyjet në “The Top List” nuk janë në po të njëjtin numër. Arsyeja është e thjeshtë, përdorimi i tepërt i përmbajtjeve me drogë, seks, armë dhe misogjeni.

Megjithatë këtu lind pyetja, pse pikërisht këto përmbajtje janë gjithmonë e në rritje në muzikën shqiptare? Vërtet është kaq e nevojshme e gjithë kjo? Nëse mund t’i përgjigjemi kësaj pyetje, duke u nisur vetëm nga klasifikimi i këngëve në “The Top List”, do të themi thjesht ‘JO’. Sigurisht që nuk është e nevojshme ky teprim masiv në muzikë, duke parë dhe sa këngë realisht të mira dhe me vlera përçohen tek publiku.

Patjetër që ne duam më të mirën për dëgjuesit tanë dhe sigurohemi që të transmetojmë vetëm pozitivitet dhe talente. Fundja nuk dëshirojmë që të dëgjohen vetëm tekste të tilla në masë:

Ty t’kom si kokaninë…

Apo një tjetër që dallon që nga titulli se çfarë përmbajtje mund të ketë: “Casa De Cartel”, ku besojmë se nuk është nevoja që ta dëgjojmë deri në fund për të kuptuar ‘mesazhin’. Le të mos flasim pastaj për videoklipet gati-gati skandaloze që mbizotërojnë. Femra gjysmë të zhveshura, duke bërë twerk apo duke kërcyer në një mënyrë të tillë që mbase dhe balerinat e klubeve të natës mund t’i kishin zili. Dhe këtu përsërisim, a është vërtet e nevojshme kjo?

A është e nevojshme që në shekullin e 21-të, të ekzistojë mendimi se që një këngë të eci, duhet që të paktën 1 në 5 fjalë të jetë rreth seksit, femrave, kokainës. Ah, se harruam, edhe për bandat gangstere që qendrojnë të gjithë bashkë dhe ‘hajnë plumbin’ për njëri-tjetrin. Kjo quhet një këngë e suksesshme?!

Mos ndoshta vazhdojmë me atë mendimin që ‘seksi shet’? Në rregull, e kuptojmë. Por deri kur shet seksi? Deri në çfarë mase dhe a ka ndonjë pikë ndalimi? Apo mbase nuk i kuptojmë dot dëmet që kjo muzikë përçon tani. Mbase mund ta kuptojmë kur të dëgjojmë një fëmijë të vogël aty pranë nesh që po këndon ca vargje këngësh, për kapjen e femrave (për të mos përmendur ato fjalët skandaloze tekstualisht). Jemi të sigurtë se nuk ua di plotësish kuptimin, por dhe kaq është e tepërt.

Videoklipe pa fund me armë, bikini dhe taka, makina të shtrenjta, shfrytëzim femrash, kokainë… Në këtë nivel është Shqipëria? E, “Top Awards” përpiqet në maksimum që këngët që bëhen pjesë e saj, të jenë sa më të ‘pastra’, fundja për sytë e për veshët. Do të ishte e padrejtë që këngët që vërtet ja vlejnë të dëgjohen, të hyjnë në një kategori me to.