Alban Skëndëraj e ka mbyllur këtë sezon veror me një tjetër hit muzikor. “Lea” titullohet projekti më i ri i artistit të talentuar, i cili ka tërhequr menjëherë vëmendjen e publikut shqiptar. Falë mbështetjes së madhe nga ana e publikut, kjo këngë është renditur në kreun e 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare, edhe pse është një ndër hyrjet e reja të javës.

Kjo këngë e shumëpërfolur është prodhuar nga vetë artisti dhe Lorenc Aliaj, me të cilin Albani bashkëpunon zakonisht për këngët e tij, ndërsa teksti mban vulën po të vetë këngëtarit.

Po pse e duam kaq shumë “Lea”?

Si në shumë projekte të tjera muzikore, Albani përçon mesazhe të rëndësishme me këngët e tij, kështu ka bërë edhe me prodhimin e fundit. Kënga flet për Lean, një vajzë e cila për shkak të një dashurie të dështuar, ajo humbet vitin shkollor. E gjendur në mes të kësaj situate, Lea nuk gjen asnjë mbështetje nga miqtë apo familjarët e saj. Lea tregohet e vendosur të harrojë këtë histori dhe të kërcejë apo të këndojë për të harruar gjithçka duke vepruar sikur nuk kishte anjë problem dhe se për atë djalë nuk vlen asnjë lot.

Ajo është kthyer vetëvetja, duke lënë pas atë histori të hidhur. Asaj nuk i intereson më aspak se çfarë flasin për të por dëshiron të jetojë jetën me rregullat e saj të reja.

Kjo këngë ëshë shoqëruar me një videoklip mjaft interesant, prodhuar nga “Imagine Films”, ku Lea, e interpretuar nga Rinesa Qeriqi, shfaqet me një “look” mjaft interesant. Lea vendos të presë flokët dhe të shijojë jetën dhe në fund të klipit, ajo shihet në një klub nate, duke kërcyer me një vajzë, të cilën përfundon duke e puthur në buzë.

Ndërkohë që ka marrë komente mjaft pozitive, ky projekt muzikor i Albanit është përballur edhe me shumë kritika. Shumë fansa të Albanit shprehen se janë zhgënjyer nga mesazhi që përcjell kjo këngë në momentin që Lea puth një vajzë. Ka patur edhe nga ata komentues ku shprehen se Lea duhet të mësonte pak më shumë dhe të mos merrej me vagabondin. Nga ana tjetër, shumë fansa kanë hedhur poshtë këto komente, duke u shprehur se mesazhi i Albanit në këtë këngë është që t’i përballojmë sfidat e jetës me një buzëqeshje, të mos dorëzohemi pasi asnjë mashkull nuk ka fuqi të shkatërrojë jetën e një femre.

Puthjen e dy femrave në fund nuk duhet ta trajtojmë në mënyrë seksiste por feministe.