Me ardhjen e stinës së verës, shumica e artistëve zgjedhin të publikojnë projekte të reja muzikore, duke i bërë ditët e nxehta akoma më argëtuese.

Pavarësisht se këtë javë në “The Top List” pati vetëm një prurje të re, javët e kaluara disa projekte të reja i janë shtuar listës së 50 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare.

“Forever Is Over” është kënga më e re që është bërë pjesë e klasifikimit të “The Top List” e cila menjëherë rrëmbeu kreun. Për këtë projekt muzikor Elvana Gjata ka bashkëpunuar me producentin amerikan Poo Bear dhe David Guetta, duke sjellë një kënga që ka marrë vlerësime dhe vota maksimale nga publiku.

“Havera”, një projekt muzikor i publikuar nga këngëtarja më e re e muzikës shqiptare Diona Fona ka rreth 3 javë që është futur në renditjen e “The Top List”. Ndërkohë që në javën e parë ajo mbante vendin e 48-të, në javën e dytë ajo u ngjit me plotë 43 pozicione, duke zënë vendin e 5-të. Ndërsa gjatë kësaj jave, ajo ka humbur 5 pozicione duke u renditur e 10-a në listë.

Lorenc Hasrama, ish-konkurrenti i “The Voice Of Albania” është gjithashtu një prej prurjeve më të reja të listës zyrtare të “Top Awards”. Projekti i tij “Skam vend për ty” prej 3 javësh është pjesë e klasifikimit, ku në javën e parë ai mbante vendin 42-të. Në javën e dytë, kjo këngë u ngjit me 29 pozicione, duke u renditur mjaft mirë, ekzaktësisht në vendin e 13-të. Sa i përket kësaj jave, Lorenci ka rënë me 16 pozicione, duke zënë vendin e 29-të.

Janex, e cila kësaj radhe ka ardhur me një projekt muzikor mjaft interesant, është gjithashtu një ndër prurjet e reja në “Top Awards”. Prej 3 javësh kënga e saj, “Mermaids” është futur në “The Top List”, ku në javën e parë ajo mbante pozicionin e 50-të por në javën e ardhshme ajo arriti të ngjitej me 4 pozicione, duke u renditur në vendin e 46-të. Gjatë kësaj jave, “Mermaids” ka zbritur sërisht me 2 pozicione, duke u vendosur në vendin e 48-të.