Ndoshta nuk dini shumë për të por jemi të sigurt që të paktën njëherë mund ta keni dëgjuar zërin saj teksa këndon ose mund të keni parë ndonjë video të saj në Tik Tok apo Instagram, të cilat janë bërë virale për shkak të mënyrës së si ajo i interpreton. Po flasim për Nilsa Hysin.

Nilsa nuk është një emër i panjohur për muzikën shqiptare, pasi ajo ka marrë pjesë në festivale të ndryshme si edhe ka qënë një nga pjesëmarrëset e “The Voice of Albania 4”.

E kontaktuar nga Top Awards, Nilsa ka folur më shumë për veten e saj, projektin e ri dhe planet për të ardhmen.

TA: Na zbuloni pak më shumë, kush është Nilsa?

Nilsa: Me muzikë jam marrë që në fëmijëri, kam qënë pjesë e Qendrës Kulturore të qytetit ku jam lindur e rritur, më pas kam qënë pjesë e edicionit të 4-t të “The Voice”, aty ku fillova të investohem më shumë në muzikë duke qënë pjesë e një bande muzikore, duke marrë pjesë në festivale kombëtare (RTSH, Kenga Magjike) etj.

TA: “Wednesday 3pm” është projekti juaj i parë, pse vendosët ta publikonit pikërisht tani pas shumë kohësh që merreni me muzikë?

Nilsa: Pavarësisht se kam qënë pjesë e festivaleve që përmenda pak më sipër, ky është projekti i parë që është i gjithi i imi me klip dhe që është publikuar në kanalin tim. Më është dashur pak kohë për të kuptuar se cfarë doja të prodhoja dhe se si do të shfaqesha në tregun muzikor. Qëllimi im ka qëne dhe do të jetë, të prodhoj muzikë e cila përputhet me shijet e mia dhe imazhin tim, pa bërë kompromise. Kjo merr kohën e vetë. Megjithatë, mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur.

TA: Pse këtë titull, cili është kuptimi i tij?

Nilsa: Titulli i këngës nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me mesazhin apo tekstin e saj. “Wednesday 3pm” është vendosur dy javë para publikimit të këngës dhe është pasojë e një shakaje të brendshme midis meje dhe regjisorit të klipit, që në të njëjtën kohë është edhe shoku im i ngushtë.

TA: Jeni shndërruar në një ndër personazhet më të pëlqyer të Tik Tok, keni ndonjë dell aktrimi? (Mos të harrojmë natën greke në Instagram). Pse keni zgjedhur këtë mënyrë për t’u shfaqur tek ndjekësit tuaj?

Nilsa: Videot e Tik Tok-ut kanë nisur në formë argëtimi për mua gjatë kohës së karantinës, pa patur ndonjë qëllim të caktuar. Më pas ato filluan të shpërndaheshin shumë shpejt midis përdoruesve të Tik Tok-ut dhe Instagramit dhe unë një mëngjes u zgjova me shumë ndjekës. (Qesh)
Ndërsa me aktrimin nuk kam patur ndonjëherë ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë, por mbaj mend që në fëmijëri, mami më thoshte që imitoja shumë bukur, por nuk e mora asnjëherë seriozisht. (Qesh)

TA: Do vijosh të punosh për muzikë të re apo momentalisht do shijoni suksesin e “Wednesday 3pm”?

Nilsa: Puna për projektin e radhës ka filluar që tani dhe mezi po pres që të publikohet sa më shpejt.