Një tjetër bashkëpunim për NRG Band dhe kësaj radhe grupi ka bashkuar fuqitë me Genc Prelvukaj, duke i kënduar dashurisë së vjetër.

“Dashnia jeme” titullohet ky projekt muzikor, i cili ka ardhur mjaft ritmik dhe është pritur mjaft mirë nga publiku shqiptar.

Që në javën e parë të publikimit, kjo këngë është bërë pjesë e klasifikimit të “The Top List”, falë mbështetjes dhe sugjerimeve të shumta nga ana e fansave.

NRG Band ka zbuluar për “Top Awards” më shumë detaje sa i përket këtij projekti muzikor dhe sigurisht planet që ka për këtë sezon veror.

Top Awards: Një bashkëpunim i goditur është cilësuar ky nga fansat, si lindi ai?

NRG Band: Ka kohë që kishim në plan të bënim një bashkëpunim me Gencin. Unë dhe Genci jemi shokë të vjetër dhe e kemi ruajtur miqësinë prej vitesh dhe ja erdhi bashkepunimi, i cili është mirëpritur mjaft mirë nga fansat, për pak ditë arriti të mbledhë miliona shikime.

Top Awards: Kush është kujdesur për muzikën, tekstin dhe klipin?

NRG Band: Në fillim Genci kishte një demo të thjeshtë kur më tregoi, pastaj me ta dëgjuar për herë të parë më erdhën si ide këto dy fjali “oj dashni dashni e vjeter” dhe çdo gjë u ndërtua duke punuar në studio.

Top Awards: Duke qënë se jemi në sezonin e verës, përse nuk keni zgjedhur bregdetin për klipin e këngës?

NRG Band: Të them të drejtën ishte çështje e kohës. Që në fillim e dija që do na mungonin disa skena të bregdetit shqiptar. Ne si grup kemi patur edhe më herët skena të tilla.

Top Awards: Klipi është konsideruar tepër i veçantë, ku i keni gjetur aq shumë vajza dhe djem të bukur?

NRG Band: Eshtë marrë “Blackfish Entertainment” me çdo gjë sa i përket organizimit të videoklipit. Gjatë xhirimeve kemi patur edhe befasira nga pjesëmarrësit por jemi kënaqur (qesh).

Top Awards: Një vështirësi që keni hasur në projektin “Dashnia jeme”?

NRG Band: Vështirësitë kanë qënë vetëm në plotësimin dhe azhornimit të këngës, sidomos në pjesët plotësuese të tekstit, jam detajist në tekste dhe kjo na mori kohë disa ditë.

Top Awards: Një tjetër bashkëpunim në karrierën tuaj, i cili është pritur mjaft mirë nga fansat. Po ju vetë, ku ndiheni më mirë tek bashkëpunimet apo këngët “solo” si grup?

NRG Band: Zakonisht kur jemi vetë, ndihemi më të kompletuar por bashkëpunimet janë të mira për ne sepse ne si krijues hasim në gërshetim të ideve dhe është një përvojë e mirë.

Top Awards: Do të kemi një tjetër këngë nga NRG Band këtë verë?

NRG Band: Këngë do ketë patjetër se po punojmë fuqishëm. Kemi mbledhur ide plot. Ju them fansave tanë se nuk do t’i zhgënjejmë.