I themeluar që prej vitit 2000, NRG Band është një nga grupet më të preferuar të publikut shqiptar, i cili nuk zhgënjen kurrë me projektet e reja muzikore.

Vetëm një javë më parë, ky grup ka publikuar këngën me titull “Harrom”, përmes të cilit ka ardhur mjaft romantik. Falë sugjerimeve të shumë fansave, kjo këngë është bërë menjëherë pjesë e “The Top List”, duke zënë një pozicion mjaft të mirë, pikërisht vendin e 47-të.

I kontaktuar nga “Top Awards”, vokalisti i grupit, Besnik Qaka ka folur më tej për këtë projekt, i cili ka rrëmbyer menjëherë zemrat e publikut shqiptar.

TA: Me “Harrom” keni ardhur tepër romantik, pse kjo zgjedhje?

Besnik: “Harrom” është një projekt, i cili përmban një histori apo një mesazh ku gërshetohet romanca, tradhtia dhe kontrabanda. Unë depërtova më shumë me stilin romantik pasi besoj se më shkon dhe më pëlqen.

TA: Disa fansa komentojnë se këngët romantike ju përshtaten më shumë, po ju çfarë mendimi keni, ku e gjeni veten më mirë?

Besnik: Nuk është kënga e parë romantike, kemi edhe disa projekte tjera më parë, meqë na shkon edhe kishim kohë që nuk kemi sjellë në treg diçka të tillë. Ja erdhi koha të sjellin “Harrom” dhe tashmë po shijojmë suksesin.

TA: Kush është kujdesur për muzikën, tekstin dhe klipin?

Besnik: Ne si grup jemi muzikant profesionist dhe jemi autor të shumë këngëve e albumeve por këtë projekt ja kemi besuar komplet një djaloshi dhe një artisti të ri, i cili shumë shpejt do të shpërthejë fuqishëm në tregun shqiptar, i cili quhet “Estto”

TA: Mendoni se klipi ka shumë lidhje me përmbajtjen e këngës? Disa fansa shprehen se nuk e prisnin nga ju që të shfaqeshit në një video me drogë dhe armë, keni një përgjigje për këtë?

Besnik: Klipi ka shumë përmbajtje dhe bazohet në vargjet e tekstit të këngës ku përmes një ngjarjeje që ndodh, në klip trajtohet tema e dashurisë, romancës dhe tradhtisë. Klipin e ka bërë “ProVideo” nga Shqipëria dhe jemi shumë të kënaqur me punën e tyre.

TA:Jeni bërë menjëherë pjesë e “The Top List” dhe mbani vendin e 47-të, si e komentoni këtë sukses?

Besnik: Faleminderit shumë që na keni vlerësuar, besoj se kënga do ngjitet shumë shpejt më lart. Vlen të përmendet se brenda javës arriti të mbledhë miliona klikime në kanalin tonë në “Youtube”.

TA: Na përshkruani me një fjalë jetën tuaj personale…

Besnik: Une punoj dhe jetoj thjesht. Domethënë një jetë normale, ashtu më pëlqen…

TA: Po mendoni të vini me ndonjë bashkëpunim?

Besnik: Jemi grupi që kemi më së paku bashkëpunime por gjithsesi do të ketë.

TA: Një mesazh për fansat tuaj

Besnik: Nuk kam çfarë t’ju them përveçse shumë faleminderit të gjithë atyre që na përkrahin dhe që na dëgjojnë.