“Sad For You” ka qënë projekti që e ka bërë të njohur Njomzën për publikun shqiptar pavarësisht se ajo është një këngëtare, e cila që prej moshës 14-vjeçare merret me muzika.

E lindur dhe rritur në Chicago, Njomza është një këngëtare me origjinë nga Kosova. Në moshën 14-vjeçare, ajo formoi grupin “Scarlett” por në moshën 16-vjeçare ajo u largua nga ky grup, duke vazhduar karrierën “solo”. Ajo nisi të postonte kovera të ndryshëm në kanalin e “Youtube” dhe aty u pikas nga Mic Miller dhe kështu u bë pjesë e labeit të tij “Most Dope” por vetëm pak ditë më parë këngëtarja 24-vjecare lajmëroi se tashmë kishte firmosur një kontratë me shtëpinë diskografike “Capitol Records”.

Rreth një javë më parë Njomza ka publikuar projektin e saj më të ri muzikor, i cili e ka rikthyer sërish në “The Top List” pas 47 javësh mungesë. “Lonely Nights” titullohet ky projekt muzikor, i cili për këtë javë renditet në vendin e 99-të.

Kjo këngë është pjesë e albumit më të ri të Njomzës, “Vacation”, i cili përbëhet nga 7 këngë dhe është publikuar më 9 Nëntor. Në një postim të bërë në profilin e saj në Instagram, Njomza ka treguar se për këtë album ka derdhur shumë djersë dhe lot por më në fund ia ka dalë.