Një ndër hyrjet më të veçanta të kësaj javë është padiskutim projekti i titulluar “God fell in love with a stripper” i sjellë nga një dyshe tepër e talentuar, të njohur në fushën e artit me emrin Nëna Parti. Nuk është aspak ajo që po mendoni ju, por dy artistë që kanë vendosur të sjellin një evokim të periudhës së komunizmit, por sigurisht me nota sarkastike.

Klejd Guza dhe Eduina Alicka  janë dyshja e parë në Shqipëri që ka sjellë një rrymë mjaft të veçantë muzikore dhe bëhet fjalë për “Vaporwave” dhe “Synthwave”.

I shoqëruar me një video mjaft interesante, ku dy balerinë perfomojnë teksa tregojnë një histori me lëvizjet e tyre, ky projekt muzikor ka marrë sugjerimet e mjaftueshme për t’u bërë pjesë e 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare, duke u pozicionuar në vendin e 31-të.

Projekti me i ri “God fell in love with a stripper” tregon nje histori fiktive, të shkruar nga Fabio Çani, ku Zoti kap vështrimin e Evës duke kërcyer dhe aty i zgjohen anë dhe ndjesi të dobëta, të cilat shkojnë krejtësisht kundër atij imazhi që çdokush ka për të.

Po kush është Nëna Parti?

Nëna Parti lindi si projekt eksperimental mes dy miqve (Klejd Guza dhe Eduina Alicka) në fillim të 2017-ës si një përpjekje për të sjellë zhanrin e “Vaporwave” dhe “Synthwave” me një interpretim shqiptar.

Vetë emri i dyshes vjen si një evokim i periudhes së komunizmit, por sigurisht me nota sarkastike të cilat bien akoma më shumë në pah në vizualet dhe tekstet.

EP-ja e parë e bandës e titulluar “Outrun P.P.Sh” (Lër pas P.P.Sh.), përmban 4 këngë të ndikuara thellësisht nga ritmet “synthwave” të viteve 80′ dhe fjalime të mbivendosura të Enver Hoxhës për të krijuar një efekt nostalgjie, e cila nuk ka ekzistuar në Shqipëri.

EP-ja e dytë “Brief Glimpses of Beauty” (Shfaqje të shkurtra të së bukurës) tregon një histori të shkurtër në 4 këngë: bukuria dhe humaniteti shfaqen dhe në periudhat më të errëta. Vizualet e krijuara me mjeshtëri nga artisti Xhon Dervishi tregojnë nje Enver në stilin Cyborg (njeri i ndërthurur me makinë).

Klejdi është producenti kryesor i dyshes dhe forca drejtuese pas krijimtarisë muzikore.